Site icon Telegrafi

Rikalo: 1.2 milion euro dëme nga të reshurat, bujqit do të kompensohen nga rezervat e shtetit

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, tha se deri më tani dëmet e shkaktuara nga të reshurat janë rreth 1.2 milion euro.

Ai në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, tha se këto ditë ka pasur reshje, dëmet janë më të mëdha, por shuma reale do të mësohet pas vlerësimeve të bëra nga komisioni i ministrisë, duke shtuar se do të kërkojnë nga Qeveria ndarjen e mjeteve nga rezervat e shtetit për të ndihmuar bujqit nga i gjithë vendi.

“Ajo që tani po bëjmë është se menjëherë do i kërkojmë Qeverisë ndarjen e mjeteve nga rezervat e shtetit për ndërhyrjen urgjente sepse kjo është situatë e jashtëzakonshme dhe bujqit duhet ndihmuar. Fondi për kompensimin e dëmeve është fondi që do të ishte i domosdoshëm. Por prej vitit 2009, MBPZHR i ka dërguar Ministrisë së Financave dhe nuk iu ka përgjigjur kërkesës sonë dhe nuk kemi pasur fond specifik në buxhet që do të ndikonte në kompensimin e dëmeve natyrore të tilla”, tha Rikalo.

Rikalo tha se do të rishikojnë buxhetin që të shohin se me çfarë mjete do t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara.

“Për vitin 2018 të gjitha komunat që kanë pasur ndonjë dëm material nga të reshurat kanë paraqitur kërkesën për lloje të ndryshme të fatkeqësive natyrore dhe dëmet qe janë shkaktuar në komunën e Rahovecit janë shumë të mëdha”, shtoi Rikalo.

Ai tha se për sistemin e mbrojtjes nga breshëri, MBPZHR është duke punuar me një organizatë zvicerane dhe atë model po përpiqen ta vendosin edhe në Kosovë.

“Nuk ka sistem të mirë të ujitjes dhe kjo temë duhet të jetë parasysh sepse nuk ka sistem të mbrojtjes nga breshëri, sistemi raketor që nuk është dhe kjo është temë në tërë regjionit çështja e sigurisë së prodhimeve bujqësore që bujqit të mund të marrin kompensimet nga dëmet e tilla”, tha Rikalo.

Deputetët patën një mori pyetjesh për ministrin Rikallo, duke shfrytëzuar rastin të marrin përgjigje nga ai, meqë në seanca nuk po mund të marrin përgjigje meqë nuk po merr pjesë.

Deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, kërkoi nga ministri i Bujqësisë të tregojë arsyet pse e ka shkarkuar drejtorin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe nëse kjo lidhet me përfitimet e kompanisë ku punon gruaja e tij.

“A është e vërtetë që kompania që kompania Concept Pro ka lidhje me gruan e tij dhe pastaj e njëjta kompani ka lidhje të drejtpërdrejtë kontraktuale me kompaninë Extra Fruit Felix për të cilën është marrë vendim që t’i kthehen pagesat. Nëse është kështu unë mendoj që në bazë të ligjit për konflikt të interesit që e kemi ne, ka konflikt të hapur të interesit”, pyeti Aliu.

Deputeti i PDK-së, Andin Hoti, i cili ka qenë edhe kërkues që ministri Rikallo të raportojë në komision, tha se ministria ende nuk ka ardhur me një projekt konkret se si do t’i kompensojë bujqit e dëmtuar.

“Këtu shihet saktë që janë mbi 1400 hektarë të dëmtuar vetëm në komunën e Rahovecit, nga të gjitha kulturat, duke përfshirë edhe një pjesë të infrastrukturës, që janë serrat dhe infrastrukturat tjera përcjellëse. Ministër, qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës dhe Qeveria është gardian i tyre, ne kemi obligim mirëqenien e tyre. Unë vij nga komuna e Rahovecit, fshatit Krushë e Madhe dhe e di që shumica prej tyre të hyrat e vetme financiare i kanë prej bujqësisë. Nëse këto të hyra iu kanë dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore ne duhet patjetër që t’iu gjejmë zgjidhje”, theksoi Hoti.

Në anën tjetër deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, kërkoi të dijë nga ministri se si ka ndarë dy milionë euro për zhvillimin e veriut dhe mënyra e aplikimit të bujqve të asaj pjesë për të qenë përfitues të granteve.

“E dyta që është shqetësuese për LDK-në dhe qytetarët ka të bëjë me trajtimin e dokumentacionit nga komunat që përmenda, trajtimin e ndryshëm të aplikantëve, të cilëve iu lejohet të aplikojnë me dokumentacion që nuk i kanë logon, apo nuk janë në përputhje me infrastrukturën ligjore në fuqi, se nuk prezantohen as nuk kanë obligim të mbajnë as logo, as mbishkrime që përcaktojnë Republikën e Kosovës. Ne konsiderojmë këtë çështje si nxitje të qytetarëve që të mos e pranojnë rendin kushtetues në Kosovë dhe veçanërisht kur bëhet me udhëzime administrative natyrisht kalon në një stad tjetër”, tha Zharku.

Rikallo pati vërejtje edhe për mos pjesëmarrje në seanca plenare për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare.

Në përgjigjet e tij, ministri Rikallo shprehu gatishmërinë e tij që të jetë i pranishëm në komision sa herë që deputetët e ftojnë në raportim.

Sa i përket pyetjeve parlamentare, ai theksoi se ka marrë vetëm dy pyetje deri më tani dhe një pyetje që s’ka pasur lidhje me punën e tij si ministër, por me shumë ka qenë fyes.

Duke folur për raportimet se shkarkimin e shefit të AZHB-së në Ministrinë e Bujqësisë, Rikallo tha se nuk ka lidhje me përfitimet e kompanisë ku punon gruaja e tij, por ka ardhur si pasojë e një vendimi gjyqësor.

“Ajo që e kam bërë së pari si ministër, kam thënë do të jem shumë transparent dhe do të luftoj korrupsionin dhe do të jap maksimumin nga vetmja. Jam i gatshëm të përgjigjem në krejt këto. Çështjet lidhur me formën që e përmendet, fjala është për një far lloj tentimi të përbaltjes së emrit tim. Nga viti 2015 kur s’kam qenë fare ministër dhe nuk kam mundur diçka të tillë. Fjala është për një lëndë nga viti 2015, një lëndë e cila është në gjykatë dhe kurrfarë vendimi i imi nuk mund t’i sjellë dobi asaj firme. Dhe kërkesa për superkontrollin ka ardhur nga procedura gjyqësore. Jo për procedurë kundër meje se unë kam mundur t’i ndihmoj asaj, por vetëm për vërtetim të gjendjes. Pastaj sa e di për ato dy kompani nuk kanë kurrfarë marrëveshje aktive që do të prodhonte efekte për mua ose të kem bërë unë diçka në dobi të tyre”, u shpreh Rikallo.

Rreth pyetjes së deputetit Zharku, ministri Rikallo tha se ai si ministër nuk e përdor politikën për t’iu dalë në ndihmë bujqve, pavarësisht nga vijnë.

Ndarja e dy milionë eurove për veriun, sipas Rikallos ka ardhur si pasojë e mungesës së zhvillimit të asaj pjese. Ndërsa në këtë grant, ai theksoi se ka pasur aplikues edhe nga pjesa jugore, derisa kanë qenë mbi 120 aplikues shqiptarë. /Telegrafi/

Exit mobile version