Sot është rihapur stacioni i metrosë ‘Mealbeek’ në Bruksel, në të cilin mbetën të vrarë 16 persona nga një sulm vetëvrasës me bombë muajin e kaluar.
Sulmi vetëvrasës që la të vdekur 16 persona, ndodhi më 22 mars, tragjedi kjo që kishte tronditur Brukselin.
Stacioni i metrosë tani është plotësisht i hapur, ku njerëzit mund të shkruajnë homazhet e tyre për viktimat në një mur përkujtimor brenda këtij stacioni.
Autoritetet e transportit publik në Bruksel bëjnë të ditur se pjesëtarë të ushtrisë dhe të policisë do të jenë të pranishëm për të garantuar sigurinë në gjithë këtë rrjet.
Stacioni i metrosë do të vazhdojë të punojë me të njëjtin afat kohor si para sulmeve, por me pika hyrëse të kufizuara.
Të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave e kishin vizituar stacionin të shtunën, para se ai të ri-hapej.
Sipas autoriteteve shpërthimi i 22 marsit nuk e ka dëmtuar strukturën e stacionit të metrosë, prandaj ai ka arritur të rihapej.