Maqedonia kërkon anëtarësim në NATO me referencën ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM) dhe paralelisht me këtë proces të zhvillohen edhe negociatat me Greqinë për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar më emrin e saj kushtetues, Republika e Maqedonisë. Një kërkesë të tillë e konfirmoi edhe kryeministri, Zoran Zaev pas takimeve në Bruksel me kreun e NATO-së, Jens Stoltenberg, por edhe më zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian.
“Unë pres mbështetje nga qytetarët e Greqisë që nëpërmjet pushtetit dhe opozitës të zgjidhim këtë problem. Për këtë ka alternativa dhe ne shpresojmë se edhe më referencën e përkohshme mund të bëhemi shtet anëtar i NATO-së, dhe paralelisht me këtë të vazhdojnë bisedimet me Greqinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ne, do të jemi një arsye më shumë për gjetjen e zgjidhjeve pozitive, që do të jenë për të mirën e stabilitetit në rajon”, ka deklaruar kryeministri Zaev.
Këto mesazhe Athinës do t’ia dërgojë edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili të mërkurën do të qëndrojë në Greqi, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të Qeverisë së re.
“Mbi qëndrimin e palës greke do të di shumë më tepër pas vizitën në Athinë të mërkurën. Do të shohim se cilat janë sinjalet e palës greke. Është një proces që nuk mund të mbyllet brenda natës, por gjithsesi se ne do të bëjmë gjithçka që të zgjidhin këtë kontest, pasi është në të mirën e të gjithëve, është në të mirën e paqes dhe stabilitetit në rajon. Do të ishte shumë keq nëse e lëshojmë këtë shans”, ka deklaruar Dimitrov, i cili më parë ka qenë pjesë e delegacionit të Maqedonisë në bisedimet me Greqinë që janë zhvilluar nën patronatin e Kombeve të Bashkuara.
Lidhur me kontestin e emrit, zyrtarët e lartë grekë në disa prononcime që janë transmetuar nga mediat maqedonase, kanë thënë se çështja e emrin mbetet kusht për zhbllokimin e procesin euro-integrues të Maqedonisë.
“Pa zgjidhjen e këtij kontesti, pala greke nuk do të lejojë anëtarësimin e Maqedonisë, qoftë në NATO apo BE-në”, kanë deklaruar zyrtarët grekë.
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, thonë se qëndrimet e tilla janë normale dhe tani më të njohura. Ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin, thotë se kontesti me emrin duhet të zgjidhet, dhe në këtë pret një mbështetje të fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare.
“Ne kemi një problem të cilin ne duhet ta zgjidhin. Pala greke ka një qëndrim të fortë se pa zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonia nuk mund të anëtarësohet në NATO ndërsa Maqedonia kërkon që paralelisht me bisedimet për zgjidhjen e kontestit të pranohet në Aleancë me emrin e përkohshëm IRJM. Mendoj se janë normale pozicionet e tilla, duke marrë parasysh të kaluarën, dhe këtu pres ndihmën e faktorit ndërkombëtar për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet”, thotë Ruzhin, duke shtuar se veç çështjes së emrit, Maqedoninë e presin edhe reforma tjera të domosdoshme që kanë ngecur për shkak të krizës së thellë në të cilën shteti është pothuajse qe tri vjet.
“Ne nuk duhet të harrojmë se krahas çështjes së emrit ne kemi edhe shumë reforma tjera që duhet të bëjmë pasi kemi humbur shumë kohë si në procesin e përmbushjes së obligimeve për anëtarësim në BE ashtu edhe në procesin e NATO-së. Megjithatë, është mirë se Maqedonia u kthye në këtë rrugë pas një krize të gjatë e cila besoj se është pas nesh. Qeveria e re është deklaruar se prioritet do të ketë integrimin euroatlantik dhe kjo është me rëndësi sikur edhe përbërja e shumetnike e delegacionit në Bruksel që është një mesazh i fuqishëm i unitetit brenda shtetit”, thotë Ruzhin, për REL.
Problemi mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen emrit daton që nga pavarësia e Maqedonisë. Athina nuk e pranon emrin e saj me arsyetimin e pretendimeve territoriale ndaj pjesë veriore të Greqisë me të njëjtin emër, por gjithashtu ajo nuk pranon pretendimin e maqedonasve se kanë prejardhje nga Maqedonia Antike. Bisedimet e deritanishme për zgjidhjen e kontestit nuk kanë dhënë rezultat dhe si pasojë Athina po mban të bllokuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.