Telegrafi

Rihapen polemikat mbi varrin e Krishtit

"Varri i Humbur i Jezusit", realizuar nga regjisori hollywoodian, James Cameron, dhe nga gazetari hulumtues, Simcha Jacobovici, u transmetua vetëm një herë në "Discovery Channel". Rrjeti televiziv britanik "Channel 4" e anuloi planin për të transmetuar dokumentarin provokues, i cili riekzaminon një zbulim arkeologjik që i përket vitit 1980. Në atë kohë u zbulua një dhomë e nëndheshme, e cila, sipas disa studiuesve pak konvencionalë, mbante varret e Jozefit, Marisë, Jezusit, birit të Jozefit, Marianës (për realizuesit e dokumentarit Maria Magdalena) dhe të Judës, birit të Jezusit. Për shkak të konkluzionit shpërthyes dhe investigimit gazetaresk, të bërë duke u mbështetur në hamendësime shpesh të guximshme, nuk është aspak për t‘u habitur që u vu menjëherë në qendër të shigjetimeve të një serie akademikësh dhe të të gjithë klerit kristian.

Gjithsesi, edhe pse tashmë dallgët e ngritura nga filmi dokumentar janë venitur thuajse tërësisht për publikun e gjerë, vazhdojnë të ruajnë një farë force mes qarqeve të arkeologëve dhe ekspertëve të Biblës. Profesor James Charlesworth, një ekspert i Testamentit të Ri nga Seminari Teologjik i Prinstonit, është ngacmuar aq fort nga hamendësimet që bëhen në dokumentar, sa javës së shkuar ka organizuar një konferencë në Jerusalem, ku ftoi 50 arkeologë, statisticenë dhe ekspertë gjenetike, qeramike dhe gjuhësh të lashta, për të shqyrtuar provat nëse vërtet jemi përpara zbulimit të varrit të Krishtit dhe familjarëve të tij.

Puna e tyre është ndërlikuar ndjeshëm prej faktit që, prej çastit të hapjes së varrit, në vitin 1980, eshtrat e disa prej varreve mungojnë, të humbura në mishmashin e burokracisë izraelite. Mungojnë gjithashtu edhe skemat e vendosjes së varreve, të vizatuara nga gërmuesit që hynë të parët në varr, si edhe vendndodhja fillestare e sarkofagëve. Njohja e pozicionimit të secilit varr do të krijonte mundësinë e përcaktimit të lidhjes me njëri-tjetrin, për shembull, logjikisht varret e Jezusit dhe Maria Magdalenës, për të cilën shumë spekulojnë se ka qenë bashkëshortja e tij, duhet të gjendeshin pranë njëri-tjetrit.

Pas tri ditë debatesh të ashpra, siç mund të merrej me mend, pozicionimet e ekspertëve qenë shumë të ndryshme. Opinionet në një panel të përbërë nga pesë ekspertë luhateshin nga "krejt e pamundur" në "shumë e mundshme".

Vetë organizatori i konferencës, James Charlesworth, deklaroi për revistën amerikane "Time": "Kam rezerva, por nuk mund ta hedh tërësisht mundësinë që ky varr t‘u përkasë të afërmve të Krishtit". Po t‘u referohemi provave, vazhdon Charlesworth, "na duhet të themi se varri i përket një familjeje nga epoka në të cilën ka jetuar Jezusi. Dimë gjithashtu se emrat e varreve janë përkthyer me saktësi, për shembull, ‘Jezusi, bir i Jozefit‘". Gjithsesi, profesori ka edhe dyshimet e veta mbi këtë pikë, "Emri mbi varrin e Jezusit thjesht është gdhendur pa kujdes mbi pllakë në formën e mbishkrimit. Nuk ka asnjë lloj zbukurimi apo ornamenti. Epo normalisht duhet të kishte. Pas së gjithash, ndjekësit e tij mendonin se ishte biri i Zotit".

Në konferencë u zbuluan edhe gjëra të reja. E veja e Jozef Gatit, shefit të grupit të arkeologëve që drejtoi gërmimet në vitin 1980, i ndezi më shumë gjakrat e të pranishmëve, duke thënë: "Im shoq nuk kishte asnjë dyshim se ai ishte varri i Jezusit, por duke qenë se ai vetë ishte një i mbijetuar nga Holokausti, i druhej shpërthimit të ndonjë dallge antisemite dhe zgjodhi se ishte më e drejtë mos ta thoshte publikisht atë që mendonte".

Varri u zbulua së pari nga disa punonjës ndërtimi, të cilët gërmonin për të hapur themelet e një pallati në kodrat Talpiot, një lagje moderne në Jerusalem. Gat dhe dy arkeologë të tjerë udhëhoqën gërmimet dhe qenë të parët që hynë në varr, i cili ishte bërë pre e vjedhjeve dhe vandalizmave shekuj përpara. Vetë varret, përfshi edhe atë ku shkruhej, "Jezusi, biri i Jozefit", u transportuan në një depo antikash, ku mbetën të harruara deri në vitin 1966, kur një ekip xhirimi i BBC-së vendosi t‘i pastronte nga pluhuri. Jacobovici e shtyu historinë edhe më tej, duke u bazuar në statistikë – të vëna më pas fort në dyshim nga ekspertët – sipas të cilave, megjithëse emri Jezus dhe të tjerët qenë shumë të përdorshëm mes hebrenjve të thjeshtë në epokën e Tempullit të Dytë, shanset që të mund të gjendeshin në të njëjtën dhomë mortore, e t‘i përkisnin së njëjtës familje, qenë vërtetë shumë të pakta.

Debati mbi atë që hamendësohet se është varri ku prehen eshtrat e Jezusit, me shumë gjasa do të zgjatet nëpër vite. Ndërkaq, konferenca konkludoi unanimisht se varri, tashmë nën një shtresë betoni në bahçen e një pallati banimi, duhet hapur dhe duhet ekzaminuar me shumë kujdes. "Ndihem i shpërblyer", u tha Jacobovici gazetarëve të "Time". "Debati u zhvendos nga, ‘nuk ka si të jetë varri i familjes së Krishtit‘, në, ‘edhe mund të jetë‘".

Charlesworth, i cili është njëherësh edhe klerik, tha se mundësia e zbulimit të varrit të Krishtit do të ngjallte reagime të ndryshme në radhët e të krishterëve. Më të shumtët, sipas tij, do ta shohin si fakt pozitiv. Besimi i shumë të krishterëve do të shtohet edhe më tej, falë dijenisë së plotë se ka ekzistuar vërtet Krishti, biri i Jozefit dhe i Marisë. "Nuk besoj se do të cenojë besimin mbi ringjalljen. Jezusi u ringjall shpirtërisht dhe jo fizikisht". Ai shton: "Krishterimi është një religjion i fortë, i bazuar te besimi e te përvoja dhe nuk besoj se ndonjë lloj zbulimi arkeologjik mund ta lëkundë sadopak". /shqip/