Për dy ditë do të fillojë rigjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona. Gjykimi i parë përfundoi pa dënime me burg, ish-drejtorët e spitalit Florin Besimi dhe Artan Etemi morën dënime me kusht me 18 muaj burg për veprën penale “shkaktim i rrezikut publik”, ndërsa mjeku kujdestar Boban Vuçevski u lirua nga akuzat për veprën penale “mosveprim sipas protokolleve shëndetësore”. Për të njëjtën vepër, Spitali klinik i Tetovës është shpallur i pafajshëm, por si subjekt juridik u dënua me gjobë në shumë prej një milion denarë për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Mirëpo, Apeli i Gostivarit në prill të këtij viti e hodhi poshtë aktgjykimin e shkallës së parë të gjykatësit Jordan Vellkovski dhe e ktheu rastin në rigjykim.
“Mungesa e arsyeve për faktet vendimtare e bën aktgjykimin e ankimuar të paqartë, të pakuptueshëm dhe të papërshtatshëm për shqyrtim të plotë për nga korrektësia, gjë që me të drejtë theksohet në ankesat e deklaruara të të akuzuarve”, njoftojnë nga Gjykata e Apelit, Gostivar.
Familjarët e viktimave shpresojnë se me rigjykimin do të mund të përcaktohet përgjegjësia.
“Edhe në rigjykim gjykatës është Jordan Vellkovski, ndërsa këtë herë në ulësen e të akuzuarve do të ulen ish drejtori i spitalit Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik Artan Etemi. Për mjekun Boban Vuçevski, Apeli e konfirmoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe lirohet nga ndjekja e mëtutjeshme penale. Akuza sërish vlen për Spitalin klinik të Tetovës si subjekt juridik”, u shpreh Mumin Ismaili- familjar.
Më 8 shtator 2021, nga zjarri që përfshiu spitalin modular humbën jetën 14 persona të trajtuar nga Covid dhe anëtarë të familjeve të tyre kurse hetimi i prokurorisë në bashkëpunim me ekspertë nga Gjermania rezultoi se zjarri është shkaktuar nga qark i shkurtër i kabllos vazhduese. Procesi i parë gjyqësor zgjati 10 muaj. /Alsat/