Site icon Telegrafi

Rigjykim për rastin e vrasjes së djalit të axhës për parking

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit Fidan Makolli, i cili akuzohet për vrasjen e Fadil Makollit, të cilin e kishte djalë të axhës.

Apeli ka aprovuar ankesën e avokatit Besnik Jakupi lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, pasi që ka konstatuar se ky aktgjykim është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me 18 vjet burgim Fidan Makollin.

Avokati Jakupi kishte parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi mbi bazat se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje e ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin.

“Dispozitivi i aktgjykimit ka qenë në kundërshtim me arsyetimin, pasi që nuk janë vlerësuar provat vendimtare dhe nuk janë aplikuar drejtë rrethanat lehtësuese”, tha Besnik Jakupi për KALLXO.com.

Me aprovimin e ankesës së avokatit është prishur aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështja kthehet në rigjykim për veprën penale vrasje.

I akuzuari Fidan Makolli kishte pranuar para trupit gjykues vrasjen që e kreu më 24 qershor të vitit 2016,

Sipas aktakuzës, i ndjeri Fadil Makolli ka parkuar veturën afër furrës “Sharri”, me ç’rast i akuzuari Fidan Makolli ka dalë nga shtëpia dhe i ka thënë tanimë të ndjerit të mos e parkojë veturën në atë vend.

Pas një konflikti verbal në mes të djemve të axhës, i akuzuari Fidan Makolli ka shtënë në drejtim të Fadil Makollit, duke e plagosur në regjionin e abdomenit-nënbrinjor të djathtë.

Si pasojë e plagëve të marra, Fadil Makolli kishte vdekur më 29 korrik 2016.

Exit mobile version