Site icon Telegrafi

Riformatimi i Qeverisë përfundon këtë javë (Video)

Riformatimi i Qeverisë së Isa Mustafës dhe koalicionit LDK-PDK-Lista Serbe pritet të përfundojë gjatë kësaj jave.

KohaVisioni ka mësuar nga burime të afërta me zhvillimet se marrëveshja për ndryshimet në Qeveri do të bëhet e ditur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së që mbahet të mërkurën, raporton KTV.

Kështu, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është njëri ndër personat që së shpejti mund të largohet nga Qeveria e Kosovës.

Burime brenda PDK-së kanë thënë se ministri Kuçi ka kërkuar që të lirohet nga detyra e ministrit, por kjo ende nuk është diskutuar në PDK.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, vazhdimisht është konsideruar si krahu i djathtë i Thaçit.

Por, zyrtarisht partnerët e koalicionit dhe grupet e tyre punuese ende nuk janë takuar për të diskutuar ndryshimet e mundshme.

PDK-ja gjithashtu duhet ta zëvendësojë Hashim Thaçin në pozitën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme, për të cilën KTV-ja ka raportuar të shtunën se aty mund të kthehet Enver Hoxhaj, që e ka drejtuar këtë dikaster qeveritar.

PDK-ja, LDK-ja e Lista Serbe arritën të merren vesh në muajin nëntor të vitit 2014, për të qeverisur me vendin, pas një bllokade të gjatë politike.

Exit mobile version