Site icon Telegrafi

Rifillojnë punimet në tunelin e Mitrovicës

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njofton se të martën kanë rifilluar punimet në sanimin e tunelit të Mitrovicës në rrugën nacionale N2 dhe ato do të përfundojnë për 20 ditë.

“Ju informojmë se si pasojë e vjetërsisë së madhe të tij, është parë nevoja për punë shtesë në katërfishimin e izolimit, që ky tunel të mos përballet më asnjëherë me probleme, pas përfundimit të rinovimit të tij”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Përkundër përpjekjeve, me qëllim që punët të kryhen me cilësinë më të mirë të mundshme, ka qenë e pamundur të punohet në temperatura të ulëta.

“Lusim qytetarët që të kenë mirëkuptim dhe të mos pengojnë zhvillimin e punimeve këtu. Protestat si formë e shprehjes së pakënaqësive janë e drejtë e garantuar me ligj, por kërkojmë nga partitë politike të mos përdorin qytetarët për interesa të ngushta partiake”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria njofton se sanimi i tunelit të Mitrovicës është dashur të ndodhë tash e sa vite, meqë gjendja e tij është jo e mirë për 50 vite, prandaj ka pasur arsye të mjaftueshme të protestohet gjatë gjithë kësaj kohe, duke kërkuar rregullimin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version