Site icon Telegrafi

Rifillojnë fluturimet në Orly, prokurorët nisin hetim për terrorizëm

Në aeroportin Orly të Parisit fluturimet sot janë rikthyer në normalitet, vetëm një ditë pasi një sulmues u vra nga autoritetet e rendit.

Sulmuesi, Ziyed Ben Belgacem, 39-vjeç, ai vendosi armën në kokë një ushtareje, duke thënë se ai “dëshiron të vdes për Allahun”, kanë thënë zyrtarët francezë. Ai më pas u qëllua për vdekje nga dy ushtarë të tjerë.

Fluturimet në Orly u pezullluan për disa orë dhe rreth 3,000 persona u evakuuan nga aeroporti, pas të shtënave të së shtunës.

Hetuesit anti-terror sot kanë liruar babain e sulmuesit por kanë vazhduar ta mbajnë në paraburgim vëllain e tij, raporton agjencia AFP.

Anëtarët e familjes së sulmuesit kishin kontaktuar vet me policinë, ka thënë prokurori i Parisit, Francois Molins.

Molins ka thënë se Belgacem kishte në çantën e tij një kopje të Kuranit.

Sulmuesi është përshkruar si person që është radikalizuar në burg. Ai ka pasur një histori të gjatë kriminale, duke përfshirë këtu edhe dënim për vjedhje të armatosur dhe disa raste për trafik të drogës, ka thënë Molis.

Trupit të sulmuesit i është kryer autopsia për të konkluduar nëse ai ka qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës gjatë sulmit.

Franca është në gadishmëri të lartë pas sulmeve terroriste të kryera në Paris, Nice dhe vende të tjera në këto dy vjetët e fundit, në të cilat janë vrarë më shumë se 230 persona.

Exit mobile version