Telegrafi

Rifaat al-Asad: Xhaxhai i presidentit sirian dënohet me burg në Francë, për pastrim parash

Një gjykatë në Paris të mërkurën dënoi xhaxhain e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, me katër vjet burg pasi e dënoi atë për pastrim parash dhe shpërdorim të fondeve të qeverisë siriane.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Rifaat al-Asad, 82 vjeç, nuk u paraqit në gjykatë, pasi ishte shtruar në spital në dhjetor pasi mjekët diagnostikuan gjakderdhje të brendshme.

Gjykata gjithashtu urdhëroi konfiskimin e pasurive të mëdha të patundshme të Asadit në Francë me vlerë rreth 100 milionë dollarë, shkruan France24.

Asad, një ish komandant ushtarak sirian, është konsideruar gjerësisht përgjegjës për shtypjen e një kryengritjeje islamike në vitin 1982 kundër vëllait të tij, presidentit të atëhershëm të Sirisë, Hafez al-Asad.

Mijëra u vranë nga sulmet, sipas grupeve të të drejtave të njeriut, duke i dhënë atij nofkën “Kasapi i Hama”.

Ai la vendin e tij të lindjes në vitin 1984 pasi tentoi një grusht shteti të dështuar kundër Hafez, babait të presidentit aktual sirian Bashar al-Asad i cili drejtoi Sirinë nga viti 1971 deri në vitin 2000.

Pas mbërritjes në Evropë, mënyra e jetesës e Rifaat al-Asadit u vu në pah.

Pasuria e tij e raportuar franceze përfshin dy shtëpi në Paris, një me madhësi 3.000 metra katrorë, si dhe një fermë, një kështjellë dhe 7,300 metra katrorë hapësirë zyre në Lyon.

Ai dhe familja e tij gjithashtu ndërtuan një portofol të madh me 507 prona në Spanjë, me vlerë rreth 695 milionë euro, tregojnë dokumentet ligjore spanjolle.

Të gjitha pronat e tij në atë vend u konfiskuan nga autoritetet në vitin 2017.

Asad, 82 vjeçar, i cili ndan kohën e tij midis Francës dhe Britanisë, ka qenë nën hetim në Francë që nga viti 2014. /Telegrafi/