Ridvan Murati konsiderohet të jetë njëri ndër aktorët më të mirë të serialit vendor, “O Sa Mirë”.
Aktori u bë më i njohur dhe më i dashur te publiku shqiptar me rolin e Qabit, një afaristi shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër.
I njëjti po vazhdon të korrë suksese me profesionin e tij edhe jashtë vendit, teksa së fundmi ka bërë të ditur se është pjesë e një projekti zviceran.
Ai tashmë u bë pjesë e një filmi për televizionin nacional zviceran SRF, ku po punon me njërin nga regjisorët më të mëdhenj zviceran, i cili po ashtu e ka bërë edhe filmin “Schweizermacher”, që cilësohet si më i miri në 50-të vitet e fundit.
“Këtë rol e kam fituar me audicion, është rol shumë i rëndësishëm në film, xhirimet kanë filluar nga 27 gushti deri më 30 shtator në Zurich të Zvicrës, kasta e aktorëve gjithashtu është me emrat më të njohur në Zvicër”, ka thënë për Telegrafin Murati.
Aktori ndër të tjerash do jetë i angazhuar sërish në “O sa mirë”, dhe më pas në nëntor pritet të dalë premiera e një Stand – Up komedie në Zvicër. /Telegrafi/