Metodologjia e zgjerimit, e aprovuar rishtazi nga Komisioni Evropian, ka zgjuar kureshtje dhe pritshmëri të madhe në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe të partnerëve të tyre në BE. Por, BE-ja, duke qenë në një situatë post-traumatike, pas Brexit-it, dhe në pamundësi të ballafaqimit të qartë me kriza globale, e gjitha kjo është përkthyer me mungesë të një perspektive të qartë të unanimitetit në mesin e shteteve të BE-së.
Pas bllokimit të hapjes së negociatave të integrimit për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut, BE-ja ka dalë me propozimin për rishikimin e procesit të zgjerimit, në mënyrë që të binden shtetet anëtare, ato skeptiket, për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor. Por, çfarë ndodhi? Përveç vënies së theksit tek kriteret tashmë të njohura dhe te udhërrëfyesi, fokus i veçantë i është kushtuar sanksionimit të shteteve kandidate, në rast së ato dështojnë t’i përmbushin kriteret dhe të ndërmarrin reformat e zotuara.
Pjesa tjetër e këtij dokumenti është tashmë e njohur për shtetet kandidate dhe e specifikuar në kornizën negociuese apo në marrëveshjen për stabilizim dhe asociim të vendeve përkatëse. Megjithatë, është më rëndësi të vihet theksi te disa detaje. Konfluimi (clustering) në grupe, do të këtë ndikim dhe pasoja tek disa apo tek të gjitha shtetet në këtë proces.
Së pari, anëtarësimi nëpër disa faza të caktuara të BE-së, nënkupton që shtetet e Ballkanit Perëndimor do të këtë akses në disa sektorë të caktuar, por do të jetë shumë e vështirë të kenë anëtarësim të plotë. BE pranon një shtet bazuar në nevojat dhe interesat e veta, duke pasë qasje të limituar (p.sh sektori financiar, siguri etj.), por kjo do ta prolongojë anëtarësimin e plotë. Si rrjedhojë, ky do të jetë proces selektiv dhe nuk do të jetë “win-win” për të dy palët.
E dyta, votimi me shumicë të kualifikuar (qualified majority voting), duket se lehtëson procesin e votimit për shtetin kandidat në fazën e fundit të anëtarësimit dhe se shtetet nuk do ta përdorin të drejtën e vetos që tani e kanë. Por, për shkak të procesit të tejzgjatur të anëtarësimit nëpër disa faza, shteti kandidat vështirë se do ta arrijë këtë fazë finale të votimit dhe të anëtarësimit të plotë.
E treta, përmbajtja e Kapitullit 34 dhe 35 mbetet e panjohur dhe ndikimi i tyre i mundshëm mbetet i paditur. Kapitulli 35 i procesit të negocimit të Serbisë për anëtarësim në BE, është shumë i rëndësishëm në raport më Kosovën, pasi i dedikohet dialogut. Ky kapitull, sipas kësaj kornize, është në autorësinë e Shërbimit të Jashtëm të BE-së (Zyra e Borellit) dhe jo të Komisionit për Fqinjësi dhe Zgjerim. Si rrjedhoje, është dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë që e “ushqen” këtë kapitull dhe që të gjitha marrëveshjet nga ky proces shndërrohen në kritere për Serbinë në procesin e integrimit.
Ndryshimet e mundshme në përmbajtje, në qasje ndaj këtij kapitulli dhe me mundësinë që i jepet Serbisë që ndryshimet e mundshme të akomodohen në kornizën negociuese ekzistuese, mund të tërheqin një varg ndryshimesh në dinamikën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe pasojat e mëtutjeshme në të ardhmen.
Në fakt, Serbia, që nga dita kur i ka filluar negociatat (janar 2014), është ankuar së është duke negociuar me 29 shtete (28 shtete anëtare, plus Kosova) dhe për ta kjo ka qenë ngarkesë e madhe. Për këtë arsye, Serbia në vazhdimësi ka insistuar që Kapitullin 35 ta kalojë tek Komisionari për Zgjerim. Në shikim të parë kjo duket shumë teknike, por ka ndikim të madhe politik. Nëse do të këtë ndryshime në lidhje më përkatësinë, përmbajtjen dhe procedurën me të cilën negociohet Kapitulli 35 në mes të Serbisë dhe BE-së, atëherë ky kapitull do të merret me çështje të mbetura nga negociatat, pra nuk do t’i dedikohet posaçërisht dialogut dhe Kosovës. Si i tillë, ky Kapitull negociohet i fundit dhe nuk do të jetë si i pari dhe më i rëndësishmi për Serbinë. Kjo do të thotë që të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës e Serbisë do të mbeten peng i vullnetit të Serbisë, derisa ajo arrin stadin e fundit të negocimit për anëtarësim. Për këtë arsye, Kosova do të mbetet në qorrsokak, madje deri dhe në varësi, nga vullneti dhe gatishmëria e Serbisë për progres të mëtutjeshëm.
Prandaj, është e rëndësishme që kjo metodologji të mos pësojë ndryshime në lidhje më Kapitullin 35 e që të mos i jep të drejtë shtetit të caktuar, në këtë rast Serbisë, që të zgjedh për mënyrën se si ta negociojë këtë Kapitull. Është tepër e rëndësishme që Kosova dhe Serbia ta arrijnë një marrëveshje mes vete dhe të avancojnë në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
Bashkimi Evropian dhe procesi i zgjerimit kërkojnë më tepër vendime politike dhe përkushtim të liderëve politikë evropianë dhe të shteteve anëtare, si dhe mesazhe të qarta për Ballkanin Perëndimor. Loja me fjalë mbi dokumentet ekzistuese mund edhe më tepër ta bëjë konfuz dhe ta komplikojë gjithë procesin.
Nuk është në interesin e askujt të humbim edhe më tepër kohë.