Për shumë kohë është përfolur e është përfolur për njëfarë riformatizimi të Qeverisë Thaçi. Më në fund Kryeministri së bashku me partnerin e koalicionit mori vendim për ndërrimin e disa ministrave në kabinetin e tij. Interesante ishte se të gjithë ministrat të cilët Thaçi i largoi nga kabineti i tij, asnjëherë nuk kanë qenë të përfolur për afera korruptive. Edhe më befasuese për mua, mbase edhe për qytetarët e tjerë ishte se dy ministrat e kabinetit Thaçi, që vinë nga subjekti politik që e udhëheqë vetë kryeministri, qëndruan imun dhe të paprekshëm në pozitat e tyre ministrore. Ani pse disa nga zyrtarët ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë patën kërkuar që të largohen nga Qeveria të paktën dy nga ministrat që shumë shpesh janë përfolur për afera korruptive, shpërdorim të detyrës etj.
Veprimi i kryeministrit Thaçi ma kujton një film që pak ditë më parë e kam parë në TV. Në atë film policia ishte në ndjekje të dy kriminelëve kryesorë në një shtet të Amerikës latine. Për një kohë të shkurtër, policia i arrestoi kriminelët e kërkuar, por, sharra i hasi në gozhdë policisë sepse ishte komandanti i tyre i cili kishte bashkëpunuar dhe ndihmuar ata në krime. Komandanti i asaj policie urdhëroi policët e tij që t’i lirojnë kriminelët dhe në vend të tyre t’i arrestojnë dy persona tjerë krejt të pa fajshëm në mënyrë që ta arsyetojnë punën e tyre para qytetarëve. Por duhet mbajtur ne mend që ky ishte vetëm një film televiziv me aktorë profesionistë, skenar e regji, vetëm film ama film.
A thua! A ka aktorë, skenaristë e regjisorë të tillë në këtë Qeveri? Sigurisht që organet e drejtësisë një ditë do ta thonë fjalën e tyre se a ka pasur a jo të tillë. Duke uruar që kjo Qeveri të mos jetë si në filma, dhe duke uruar që kjo Qeveri të mos i hedhë pluhur syve të qytetarëve, urojë që në Kosovë një ditë të zhduket varfëria dhe së bashku me të, të zhduket edhe fenomeni i korrupsionit.
Kur e dëgjojmë kryeministrin Thaçi në konferenca për shtyp, krijojmë përshtypjen se në Kosovë çdo gjë është në rregull. Fitohet përshtypje se në vendin tonë të gjithë jetojnë të lumtur dhe pa brenga. Mbase kryeministri i Kosovës nuk e di se gati gjysma e qytetarëve të vendit tonë jetojnë në varfëri të skajshme, këtë secili mund ta sheh nëse e kalon vetëm pak kohë duke shkuar dhe duke i vizituar familje të ndryshme në çdo Komunë të Kosovës.
Se gjysma e kosovarëve janë të varfër mund ta shoh kryeministri Thaçi nëse afrohet te një bankë një ditë të zakonshme kur pagat mujore të jenë derdhur në xhirollogaritë e pensionistëve të Kosovës. Atë ditë radhët do të jenë të gjata nëpër bankat tonë për të marrë ato pak para që i kanë pensionistët e Kosovës. Po të dëgjosh ministrat “e suksesshëm” në konferenca për media si p.sh atë të MASHT-it z.Enver Hoxhaj fiton përshtypjen se sistemi i arsimit në Kosovë është me të gjitha të mirat.
Ndryshe ndodh kur qytetarët frekuentojnë institucionet arsimore dhe e shohin që ky ministër çdo ditë të vitit e ka si ditën e parë të muajit prill. Këtë më së miri e dinë mësimdhënësit të cilët punojnë në kushte shumë të vështira edhe pse ata, në çdo fushatë elektorale marrin premtime për rritje të pagave të tyre, pastaj manipulohen dhe nuk rriten pagat e premtuara. Thënë shkurt e shqip, për të qenë ministër “i suksesshëm” në kabinetin Thaçi, ai duhet që mundësisht të jetë i përgatitur që të flasë në mediat tona shpesh për problematika dhe strategji që kurrë nuk zbatohen, të jetë i pashëm, të ketë zë radiofonik, të di të shtiret herë ashtu e herë kështu, të jep premtime boshe, të mos punojë asgjë etj.etj…
Ndërsa nga partneri i koalicionit ai i cili dëshiron të bëhet ministër në kabinetin Thaçi duhet që ta kritikoi atë sa më shumë, kështu ndodhi dje me ministrin e ri të kulturës. Kjo ndodhë si duket sepse kryeministri ynë me këtë formë ia mbyllë gojën duke e inkuadruar në kabinetin e tij qeverisës. Por duhet kuptuar një gjë, ai i cili e korrupton dikë është më i korruptuar se korruptuesi.
Me gjasë këtë strategji të cilën po e shohim çdo ditë populli nuk do ta kapërdi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo do të jetë mënyra e vetme për të ndikuar vërtetë në njerëzit të cilët do ta qeverisin vendin për mandatin e ardhshëm.