Site icon Telegrafi

Ridefinimi i kufijve si opsion i mundshëm në Ballkan

“Është larg mendjes që Evropa të mund të ushtrojë paqen duke humbur të drejtat e këtij kombi, ose duke e ndarë tokën e tij. Pa u siguruar liria e plotë e shqiptarëve është i pamundur ndalimi i luftës, dhe parimi për të ndarë tokën shqiptare do të hap një plagë të re e të helmatisur në politikën e Ballkanit…”- (Xh. F. Wiliams, ish-ambasador amerikan në Greqi)

Ditë më parë, presidenti serb Boris Tadiq, gjatë një forumi ndërkombëtar në Bruksel kishte deklaruar se Beogradi kërkon të negociojë me Tiranën zyrtare mbi konfliktet territoriale qindravjeçare mes serbëve dhe shqiptarëve. Kjo “ofertë” më e re politike e presidentit serb ndaj shqiptarëve do të jetë përfundimtare dhe do të shërbej për pajtimin e këtyre dy popujve pas krizës së tyre mbi 100 vjeçare.

Dhe, sikur këto deklarata të janë të njëmendta dhe realiste për kohën dhe realitetin e tanishëm, padyshim mund të trajtohen si një tentim më i drejtpërdrejt për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Por, për fat të keq, këto teza janë vetëm një manipulim e radhës i politikës serbe karshi shqiptarëve, por edhe faktorit ndërkombëtar për kinse qasjen serioze të zgjidhjes së kësaj krize. Politika serbe, karshi problemit shqiptarë kishte projekte të shumta retrograde qysh në kohërat më të hershme, por për fat të mirë, këto projekte kurrë nuk kishin gjetur zbatim, edhe përkundër terrorit dhe dhunës së ushtruar sistematike ndaj tyre.

Deklaratat e presidentit serb Tadiq për ndarje territoriale në Ballkan nuk janë të sinqerta dhe kanë prapavijë të rrezikshme, sepse bazohen në argumente koloniale, shoviniste, antihistorike dhe mitologjike. Të ashtuquajturat ‘territoret historike serbe” në Ballkan janë prodhim i gjenocidit, shtypjes, hegjemonisë dhe politikës koloniale qindravjeçare serbe ndaj popujve tjerë. Dihet, botërisht se dyndja sllave në Ballkan kishte ndodhur fill pas kolonizimit të kësaj hapësire dhe nuk ekziston as argumenti më i vogël i autoktonisë së tyre deri para shekullit VI.

Andaj, terminologjia serbe për ndarje territoresh nuk është asgjë e re, veçse një vazhdimësi e politikës së vjetër koloniale dhe shoviniste serbe. Mirëpo, realiteti i krijuar, kryesisht pas viteve 90’ta në Ballkan, përkatësisht lufta në Bosnjë e Hercegovinë, ndarja e këtij vendi në dy entitete, krijimi i entitetit serb si projekt gjenocidial, okupimi i pjesës veriore të Kosovës me struktura ilegale serbe, sundimi i dhunshëm i trojeve historike shqiptare në Kosovën Lindore, por edhe synimet që një pjesë e Maqedonisë së ASNOM-it të jetë nën sundimin serb janë përpjekjet e tanishme të politikës serbe dhe në këtë drejtim shkojnë edhe tezat e presidentit serb Tadiq, por edhe të politikës zyrtare serbe.

Prapavija e këtyre deklaratave qëndron në faktin, se për mes opsionit të “ndarjeve territoriale” dëshirohet të krijohet një “presedan i ri” në politikën ndërkombëtare, që më pastaj kjo politikë të shërbej për ndarjen e re të entitetit serb nga Bosnja e Hercegovina, por edhe të një pjesë të mirë të Maqedonisë Lindore. Me këto tendenca të politikës serbe duhet të merret faktori ndërkombëtar, ndërsa faktori shqiptarë, përkundër deklarimit kundër projektit serb të ndarjes nuk ka ndonjë projekt real të zgjidhjes së problemit të tyre, por qëndron në suazat e status quos, duke mbështetur realitetet e tanishme pa lëvizur më tej nga vendi.

Përkundër tendencave të lartcekura serbe, politika shqiptare nuk duhet të frikohet nga marrëveshjet politike, në rast se ato vlerësohen si të kapshme dhe të dobishme në kontestin e tanishëm historik e kombëtar. Në bazë të rrethanave të reja, në krijim e sipër për kombin shqiptar, pse jo të mos rishikohet projekti i ridefinimit të kufijve të rinj në Ballkan. Bisedimet më të reja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë në shans për t’u hapur temat e ndjeshme politike, ndërsa faktori shqiptarë duhet të ketë një qasje serioze, të cilën për fat të keq nuk e ka. Ky faktor është shumë heterogjen, i paorganizuar, por edhe shumë konfuzë në projektet që duhet pasur për të ardhmen e shqiptarëve. Nuk ka dyshim, se ajo çfarë kërkohet për serbët e veriut të Kosovës, automatikisht duhet të vlejë edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por në të kundërtën, pse të mos ketë një marrëveshje me Beogradin për një ndarje humane dhe njerëzore ndërmjet tyre. Kjo do të kënaqte dy palët dhe do të jetë shkas për ridefinime të reja në rajon. Shqiptarët nuk duhet të brengosen shumë për kufijtë e Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë, por as të Greqisë dhe Malit të Zi, sepse nga shpërbërja e këtyre shteteve, sigurisht se shqiptarët do të jenë fitues, ndërsa humbës do të jenë vetëm politikanët matrapazë shqiptarë, të cilët në radhë të parë janë fajtorë për krizën që kanë shqiptarët për momentin, por edhe për neglizhencën dhe mosërgjegjësinë që kanë për të ardhmen e kombit.

Ridefinimet e kufijve të rinj në këto hapësira do të jetë domosdoshmëri pa marrë parasysh pëlqimet, apo mospëlqimet e dikujt, por edhe të disa faktorëve tjerë relevantë. Mirëpo, esenciale është që gjatë këtij procesi të fitojë populli shqiptarë, të ketë lirinë e tij kolektive dhe të jetojë në një shtet të përbashkët. Kështu, siç është tani Kosova me projektin e Ahtisarit, por edhe Shqipëria londineze me kriza të herëpashershme, këto vende nuk do të kenë një të ardhme të mirë.

Perspektiva dhe zhvillimi i këtij kombi është në integrimin e tij dhe krijimin i një shteti të përbashkët, sepse vetëm me resurse të përbashkëta si ekonomike,por edhe njerëzore do të jenë në gjendje të mbijetojnë si një shtet i organizuar dhe me një demokraci të zhvilluar. Një Shqipërie Natyrale, por edhe Serbi, Bullgari dhe Greqi normale duhet të ekzistojnë, të cilat me një marrëveshje reciproke do të vendosin paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan. Pa këtë realitet nuk do të ketë stabilitet, integrime, por edhe as standarde evropiane.

Prandaj, politika shqiptare së pari duhet t’i prijë projektit të integrimit kombëtar dhe të mos presin nga të tjerët të merren me fatin e tyre, apo me ridefinimin e kufijve të tyre. Është koha dhe momenti i duhur i veprimit të tyre, ndryshe shqiptarët do të jetojnë edhe më tej në kriza të përhershme për fajin e udhëheqësve të tyre të papërgjegjshëm.

Exit mobile version