Telegrafi

Rice në vizitë të papritur në Irak

Rice pritet t’u bëjë thirrje politikanëve lokalë që të arrijnë ripajtimin në Kirkuk, qytet ky etnikisht i përzier në Irakun verior. Ajo ka në plan të takohet më pas me udhëheqësit irakianë në Bagdad.

Vizita e saj përkon me pakësimin e dhunës në Irak dhe me thirrjet e zyrtarëve amerikanë drejtuar udhëheqësve irakianë, që të shfrytëzojnë uljen e dhunës, për të punuar drejt ripajtimit politik.

Qeveria Rajonale Kurde po shqyrton një propozim për shtyrjen e mbajtjes së një referendumi mbi të ardhmen e Kirkukut. Ligjvënësit thanë të hënën se do të jetë e vështirë që referendumi të mbahet deri më 31 dhjetor, siç kërkohet nga kushtetuta irakiane.

Kurdët duan që ky qytet të përfshihet në provincën e tyre autonome, por banorët jo-kurdë janë të shqetësuar se mund të detyrohen të largohen nga qyteti nëse ai vihet nën kontrollin kurd. /VoA/