Ata të dy kanë fituar për 9 vite radhazi ‘Topin e Artë’ duke e kthyer trofeun më të rëndësishëm individual për një futbollist në pronë të tyren.
5-4 kryeson Lionel Messi për momentin me Cristiano Ronaldon që është fituesi i edicionit të fundit.
Megjithatë vështirë se kjo diferencë mes të dyve do të ndryshojë më, pasi forma e argjentinasit dhe e portugezit nuk është më e njëjta dhe hegjemonia e vendosur nga Ronaldo dhe Messi gjatë këtyre viteve mund të prishet në 2017-tën.
Është i sigurt për këtë Franck Ribery. Mesfushori me tipare sulmuese i cili në këtë sezon ka lënë pas dëmtimet duke rigjetur formën e tij më të mirë, ka folur pikërisht për ‘Topin e Artë’.
Ribery i cili ka rivalizuar me Messin dhe Ronaldon në 2013-tën për këtë trofe ka një emër dhe një mbiemër se cili mund të jetë futbollisti që mund të thyejë hegjemoninë e vendosur nga Leo dhe Cristiano.
Francezi propozon shokun e tij skuadrës Robert Lewandowskin si njeriun që mund të bëjë të tijin, ‘Topin e Artë’ në vitin 2017.
Sipas 33-vjeçarit, Messi dhe Ronaldo nuk janë më futbollistët më të mirë në Botë për momentin madje Ribery shprehet me bindje se Lewandowski qëndron mbi ta.
“Leva është i mrekullueshëm, ai përfundimisht meriton ta fitojë ‘Topin e Artë’”.
“Këtu te Bayerni kam luajtur me shumë sulmues të mëdhenj, Luca Toni, Mario Gomez dhe Miro Klose të gjithë kanë qenë fantastikë, por Lewandowski është më i kompletuari nga të gjithë”, theksoi Franck Ribery.