Telegrafi

Riakreditohen tetë programe në Universitetin e Mitrovicës

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB), ka njoftuar se Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ka riakredituar 8 programe që funksionojnë në kuadër të fakulteteve të Universitetit të Mitrovicës.

Në faqen zyrtare të Universitetit të Mitrovicës bëhet e ditur se, programet e riakredituara janë në nivelin bachelor dhe master, dhe se riakreditimi i tyre është për një periudhë 3-vjeçare. Tashmë në UMIB janë të akredituara gjithsej 18 programe në të dy nivelet, transmeton Telegrafi.

Në ndërkohë UMIB-i është në pritje të vendimit zyrtar nga KSHC-ja sa i përket riakreditimit institucional, në mënyrë që të shfrytëzoj të drejtën e ankesës.

Lexo po ashtu Këshilli Shtetëror i Cilësisë jep sqarime për mos akreditim: Çdo ndërhyrje nga politika do ta denoncojmë në institucionet e drejtësisë

Drejtuesit e UMIB-it janë të bindur se argumentet që kanë janë bindëse për të marrë një përgjigje pozitive sa i përket akreditimit institucional.

Tutje në njoftimin e bërë nga UMIB thuhet se, vendimi i KSHC-së për mos akreditim institucional që pamundëson regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2019/20, është skandaloz, i pabazuar në gjendjen faktike dhe shumë i dëmshëm për Universitetin dhe të rinjtë e rajonit. Si rrjedhojë kërkohet ndërhyrja e drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të ndaluar veprime të tilla të papërgjegjshme të KSHC-së.

Drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës thonë se, për çdo risi sa i përket zhvillimeve që kanë të bëjnë me riakreditimin institucional, opinioni do të njoftohet me kohë. Ndërsa studentëve që janë pjesë e UMIB-it u bëhet me dije se UMIB-i nuk do të mbyllet dhe ata do të vazhdojnë studimet e tyre normalisht./Telegrafi/