Agjencia e Kosovës për Akreditim gjatë vitit 2016 ka bërë vlerësimin e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë në Kosovë.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se AKA ka pranuar aplikacionin edhe nga Universiteti “ Kadri Zeka” për riakreditimin e 7 programeve të studimit në nivelin BA.
“Kështu në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit, dhe në bazë të Ligjit mbi Arsimin e Lartë dhe Udhëzimit Administrativ për Akreditimin e IAL-ve në Kosovë, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) në mbledhjen e mbajtur me 6 Korrik 2016 ka marrë vendim dhe ka akredituar 7 programe të studimit të Universitetit “Kadri Zeka” për periudhën 3 vjeçare , 1/10/2016 – 31/9/2019”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim bëhet e ditur se për Fakultetin e Edukimit janë akredituar programet e studimit për arsim fillor dhe arsim parashkollor, në Fakultetin Ekonomik janë akredituar programet: Banka, Financa dhe Kontabilitet, Marketing dhe Menaxhment e Informatikë, programet e studimit në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Shkenca Kompjuterike.