Site icon Telegrafi

Ri-tenderimi i termocentralit “Kosova e Re”

Të gjithë banorët e Kosovës e posaçërisht ata të Prishtinës, Kastriotit, Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë si zona ma të atakuar nga ndërtimi i kapaciteteve ekzistuese dhe të reja energjetike, me siguri e kanë mirëpritur ri-tenderimin gjegjësisht përsëritjen e ofertave për ndërtimin e kapaciteteve të domosdoshme energjetike në Kosovë të emërtuara si “Kosova e Re”. Ishte kjo një befasi e këndshme e pritur që moti pasi ai është objekt me rëndësi jetike për ardhmërinë e Kosovës. Komiteti Drejtues i projektit publikisht doli në opinion me qëndrimin se “kapacitetet e termocentralit të ri të mos tejkalojnë 1000 megavat-orë, dhe që ato të ndërtohen në bazë të modelit 500 plus 500, apo 330 plus 330 plus 330”.

Nga disa edhe sot politikisht kontestohet koha e humbur disa mujore në procesin e ndërlikuar të fillimit të ndërtimit të këtyre kapaciteteve të reja energjetike. Kontestohet nga ata të cilët pa kurrfarë kritere së pari njerëzore e pastaj profesionale “dëshiruan” t’i gllabërojnë Kosovës atë që ia ka falur natyra thëngjillin në emër të “patriotizmit”që aq shumë e kanë keqpërdorur në dhjetë vjetshin e fundit pasi dëshironin që Kosova të jetë “fuqi energjetike” pa marr në konsideratë pasojat. Ky prolongim i procesit me siguri ishte riparimi dhe korrigjimi i gabimeve esenciale që janë bërë shumë vite ma parë. Edhe tani ende nuk është bërë transparente shfrytëzimi apo shitja e resurseve që janë përcaktuese për ardhmërinë e saj-thëngjillit.

Disa herë edhe publikisht në media dhe forume profesionale,kamë potencuar,me mendimet e mija konstruktive,se është anashkaluar dhe nënçmuar, pikë së pari neglizhuar komponenti hapësinore i ndërtimit të kapaciteteve të reja gjegjësisht LOKACIONI. Në studimin e “dirigjuar” të grupeve të dyshimta të interesit të VSMS (Vlerësimi Strategjik Mjedisor dhe Social) pretendohet që kapacitetet e reja të ndërtohet në pjesën ekzistuese te “Kosovës A”. Lokacioni i pretenduar, i propozuar do të jetë vetëm vazhdimësi e asaj çka ka ngjarë me vendbanimet afër termocentraleve ekzistuese së bashku me kryeqytetin e Kosovës Prishtinën.

Edhe raporti i VSMS duhet korrigjuar dhe plotësuar urgjent,pa ndikuar në dinamikën e projektuar të ndërtimit për lokacionin e propozuar pasi përfundimet bazohen në të dhënat në dispozicion e jo në të dhënat që ishte dashur të mblidhen, përpunohen dhe analizohen nga porositësi i elaboratit. Konstatimi se “Është me rëndësi të theksohet se për shkak të shumë rrethanave, të dhënat ishin joadekuate apo nuk ishin në dispozicion për shumë tregues të përzgjedhur, prandaj, përfundimet bazohen në të dhënat në dispozicion dhe në vëzhgimet në terren” nuk qëndrojnë, nuk duhej të ekzistonin për një raport të mirëfilltë të VSMS.

Lokacioni i propozuar ekskluzivisht është i bazuar vetëm në leverditë përfituese ekonomike duke e harruar së këto lokacione janë caktuar në vitet 60’ dhe 80’ kur Prishtina kishte shumë pak banorë, maksimum njëqindmijë. Sot ky qytet është i mbipopulluar, nga të gjitha anët e Kosovës kemi invadim të pa kontrolluar të banorëve për kushte ma të mira jete në kryeqytet,me tendenca të zgjerimit të mëtutjeshëm. E tërë kjo është duke ngjarë në mënyrë stihike pa studime dhe analiza hapësinore dhe urbane ku do të shihej ndikimi katastrofal i ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike në afërsi të kryeqytetit e sa për vendbanimet tjera afër as që është diskutuar ndonjëherë. Nuk mundet askush të bind banorët e Prishtinës, Dardhishtës, Kastriotit me rrethinë për efektet e prodhimit të energjisë me metodat “bashkëkohore” si tentohej të prezantohej ky projekt pasi realiteti është tërësisht ndryshe me pasoja të rënda.

Ndoshta edhe nga rrethanat e reja, në raportet e reja të krijuara në ekonomin globale në krizë,kjo shoqëri ma në fund duket se ka kuptuar së jeta normale e banorëve të sajë dhe e gjeneratave të ardhshme nuk duhet kushtëzuar nga disa grupe politike të pa vetëdijshme për pasojat afatgjate të veprimeve të tyre, ndoshta të verbëruar nga përfitimet e mjera personale. Kështu do të mbroheshin interesat kombëtare të Kosovës e cila as që duhet të pretendon të bëhet fuqi energjetike e rajonit me rezervat e thëngjillit që i ka shumë afër vendbanimeve dhe kryeqytetit.

Sot kur po rifillon ky proces i revidimit,besoi edhe me ofertues të rinj,mbes dhe shpresoi se vendimmarrësit do të kenë kohë të bëjnë edhe analizat shumë të rëndësishme të vërteta profesionale për lokacionin e objekteve të ardhshme energjetike. Kjo vetëm me një qellim që të mbrohet jeta e të gjithë banorëve të saj në ato zona të rrezikuara,të mundësohet prosperiteti dhe mirëqenie si dhe zhvillim i qëndrueshëm i tërë shoqërisë kosovare, natyrisht me shfrytëzimin racional e të gjitha resurseve natyrore që i posedon shteti ma i ri në botë Kosova.
Në tërë botën këto lloje të kapaciteteve energjetike po ndërtohen në zona me implikime minimale mjedisore, larg vendbanimeve,duke e kursye në maksimum në nivel ma të lartë funksionimin normal të jetës se njerëzve. Kjo shumë lehtë mundet të arrihet edhe në Kosovë duke rregulluar dhe organizuar bartjen e lëndës së parë (thëngjillit) dhe ndërtimin e infrastrukturës së duhur në një zonë të përshtatshme. Një praktik e tillë është normale pasi kemi edhe raste kur thëngjilli transportohet për shfrytëzim edhe nga shtete e largëta si është Afrika e Jugut. Pa marr parasysh koston e shpenzimeve kapacitetet e reja energjetike duhet vendosur në një zonë ku do të ketë implikime minimale në mjedis,në jetën e njerëzve,e për këtë ekzistojnë mundësitë teknike si dhe ato natyrore pasi baseni i linjitit në Kosovë dhe shtrirja e tij e hulumtuar deri me sot, e mundëson këtë.

Kosova ka fuqi financiare të ndërtojë një rrugë të re të qasjes prej disa kilometrave, si dhe një urë të re apo zgjatjen për pak të kanalit Ibër-Lepenc për furnizim me ujë. Rrjetin elektrik deri te stacionin shpërndarës 400 kV, ndoshta edhe ma larg varësisht nga lokacioni përfundimtar. Ky do të ishte investim shumë i vogël në krahasim me përfitimet për të gjithë ne që jetojmë dhe veprojmë në këto hapësira.

Edhe një herë bëje kërkesë publike që të rishqyrtohet,nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar LOKACIONI i ndërtimit pasi ai ekzistuesi dhe i propozuari nga VSNM as për së afërmi nuk i plotëson kriteret normat,standardet dhe direktivat ndërkombëtare për ndotjen e mjedisit pasi vendbanimet janë shumë afër lokacionit të propozuar të termocentralit “Kosova e Re” pa marrë parasysh se rezervat e thëngjillit gjinden aty afër, (preferohet transporti i thëngjillit). Shpresoi se Komiteti Drejtues i projektit “Kosova e Re” si dhe vendimmarrësit e tjerë të rëndësishëm, do ti marrin parasysh këto sugjerime konstruktive dhe profesionale të bazuara në fakte realiste,për të mirën e të gjithë neve që jemi të detyruar të jetojmë në Kosovë.

(Autori është arkitekt i pavarur – ish zyrtar i lartë në MMPH në Departamentin e Planifikimit Hapësinor)

Exit mobile version