Site icon Telegrafi

Rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, shpresë për agjendën evropiane të Kosovës (Video)

Rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, po shihen si shpresë për këtë union, por edhe për agjendën e Kosovës. Megjithatë, u tha se tek në pjesën e dytë të vitit, mund të presim diçka konkrete, sa i përket liberalizimit të vizave.

Rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian tregon se fitues të garës janë partitë pro Bashkimit Evropian, e sidomos “të gjelbrit” që kanë pasur rritjen më të madhe. Kurse paritë euroskeptike rritje të konsiderueshme.

E, ky rezultat sipas Artan Muratit, nga Instituti Demokratik i Kosovës do të thotë optimizëm për të ardhmen evropiane të vendit tonë.

“Republika e Kosovës mundët me qenë optimiste për një të ardhme evropiane paksa më mirë të definuar se që ka qenë deri më tani. Lajmi i parë i mirë përkon me faktin se nuk ka rritje të madhe të subjekteve të cilat e kundërshtojnë Bashkimin Evropian dhe zgjerimin e BE-së rrjedhimisht. Një rritje e madhe e këtyre subjekteve do të thoshte politika kundër Bashkimit Evropian dhe kundër zgjerimit të saj qoftë në Parlament, apo në Këshillin e Evropës, mirëpo një gjë e tillë u evitua fatmirësisht. E kemi parë që ka rritje të liberalëve dhe të gjelbërve dhe këto dy grupe kanë qenë në vazhdimësi pro zgjerimit të Bashkimit Evropian edhe me shtetet e Ballkanit perëndimor”, tha për RTV Dukagjinin, Artan Murati.

Kurse njohësi i integrimeve Evropiane, Besnik Vasolli, thotë se pavarësisht që partitë pro evropiane kanë fituar, nuk shpreson se deri në pjesën e dytë të vitit të merret ndonjë vendim rreth heqjes së vizave për Kosovën.

“Për Ballkanin perëndimor edhe Kosovën nuk pres ndonjë ndryshim të madh rrënjësor pozitiv, por as negativ sa i përket zgjerimit të mëtutjeshëm… Shkaku i zgjedhjeve, kemi parë një diskurs publik që nuk ishte i favorshëm për Kosovën sa u përket vizave. Tani pres që të ketë rënie të tensioneve dhe të kemi lajme pozitive, por nuk besoj se liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi këtë vit. Shansat janë që vendimi të merret këtë vit, ndërsa udhëtimi pa viza të mund të bëhet vetëm vitin tjetër”, tha  Vasolli, përcjell Telegrafi.

Pas rezultateve të zgjedhjeve në PE, edhe  Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, përmes një postimi në Facebook tha se rritja e paralajmëruar e ekstremit të djathtë dhe euroskepticizmit, nuk përbën më arsyetim për vonesat e panevojshme në vendim-marrjen për liberalizimin e vizave.

Këto zgjedhje kanë shënuar rritje më të madhe të daljes së votuesve në 20 vite të fundit, duke arritur mbi 50% të daljes së votuesve.

Gjithashtu në këto zgjedhje për herë të parë edhe një deputete shqiptare që jeton në Suedi, Arba Kokalari, ka fituar ulëse në Parlamentin Evropian./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Kronika për zgjedhjet e Parlamentit Evropian nga minuta 8:00 në videon e mësipërme.

Exit mobile version