Site icon Telegrafi

Rezultati i zgjedhjeve në BE, tregon të ardhmen e pasigurt të qeverisë gjermane

Frika që ekzistonte ishte se partitë anti-evropiane të krahut të djathtë do të fitonin në zgjedhjet evropiane. Në Gjermani, Austri dhe Holandë, kjo nuk ndodhi. Ky është rezultati pozitiv i zgjedhjeve të fundjavës.

Polarizimi midis nacionalistëve dhe pro-evropianëve i motivoi me sa duket njerëzit që të merrnin pjesë në votime dhe shumë vende kanë raportuar për pjesëmarrje në votime më të madhe se zakonisht. Shumë më tepër votues të moshës nën 30-vjeçare, votuan kësaj herë në krahasim me herën e kaluar, një tregues tjetër që thotë se njerëzit janë të interesuar në temën e Evropës dhe në çështjen se si duam të bashkëjetojmë.

Në këtë grupmoshë fituesit janë Të Gjelbërit, të cilët ishin në gjendje të përvetësonin çështjen kyçe të së ardhmes, mbrojtjen e klimës.

Për socialdemokratët gjermanë, e diela ka qenë shkatërrimtare. Partia më e vjetër demokratike gjermane ra nën nivelin evropian, duke marrë nën 16 për qind të votave. Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte: Në Bremen, një shtet federal gjerman ku socialdemokratët kanë kryesuar prej 73 vjetësh, u mbajtën të dielën edhe zgjedhjet lokale. Ato i fituan kristiandemokratët për herë të parë në histori.

Kjo humbje e dyfishtë nuk do të mbesë pa pasoja. Humbjet tregojnë se partia ndodhet në gjendje të vështirë dhe se riorientimi i përgjithshëm është e vetmja rrugë për vazhdimësinë e saj dhe shansin për të pasur të ardhme.

Në Bruksel do të flitet ditët e ardhshme se cilat parti do të marrin postet drejtuese. Në Gjermani ky diskutim do të jetë fondamental. Pyetja kryesore është: Sa kohë do të vazhdojë koalicioni qeverisës të torturojë veten dhe gjithë vendin?

Duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të fundjavës është shumë e mundshme që pas 14 vjetësh, periudhës së Merkelit t’i vijë fundi prej partnerit në koalicion, socialdemokratëve. Nëse ndodh kjo, atëherë do të duhet të zhvillohen zgjedhje të parakohshme në fund të këtij viti. Ato do të jenë zgjedhje me shumë pyetje të hapura dhe me një gjë shumë të sigurt, se Angela Merkel nuk do të jetë më në gjendje të marrë sërish postin.

Exit mobile version