Site icon Telegrafi

Rezultatet më të urryera në Kosovë

Madje, 25 takime janë regjistruar me rezultat 1:0 ose 0:0. Falë pesë ndeshjeve që kanë prodhuar më shumë gola, është rritur pak mesatarja. Ekspertët thonë se nëse nuk ka gola, në futboll nuk mund të ketë as shikues.

Ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll sivjet po sjellin rezultate mjaft të urryera për shikues. Siç dihet, golat janë ato që më së shumti i tërheqin tifozët nëpër stadiume, por kjo nuk po ndodh në elitën e futbollit kosovar, ku po shënohen shumë pak gola.

Në njëmbëdhjetë xhirot e zhvilluara deri më tani, krejt ekipet e Superligës, 12 sosh, bashkërisht i kanë shënuar 141 gola. Krejt këto gola janë realizuar në 66 ndeshje sa janë zhvilluar deri më tani.

Sipas një llogarie të thjeshtë matematikore, i bie që mesatarisht në ndeshje janë shënuar nga dy gola. Madje, këtë mesatare e kanë rritur katër-pesë takime nëpër të cilat janë shënuar më shumë gola.

Kjo pasi prej 66 ndeshjeve, në 42 prej tyre deri më tani nuk janë shënuar mbi 2 gola. Prej këtyre 42 dueleve, 6 kanë përfunduar me rezultat 0:0, 19 tjera janë mbyllur me rezultat 1:0, kurse 12 tjera janë regjistruar baras, 1:1, ndërsa vetëm 5 kanë përfunduar me rezultat 2:0.

“Pa dyshim, ky është efikasitet shumë i ulët”, thotë trajneri i njohur e i kualifikuar, Fahredin Duraku. Janë vetëm pesë ndeshje që kanë sjellë më shumë gola, të cilat edhe e kanë rritur mesataren prej dy golash për ndeshje.

Ato janë: Liria – Llapi 5:2, Llapi – Drita 3:3, Hajvalia – Feronikeli 3:2, Trepça ’89 – Istogu 4:0 dhe Istogu – Vushtrria 4:0.

S’ka sulmues të hairit

Për numrin e vogël të golave të shënuara nëpër ndeshjet e Superligës një pjesë të madhe të fajit e kanë sulmuesit e skuadrave elitare, të cilët po “agjërojnë”.

Kur kanë kaluar 11 xhiro, vetëm dy sulmues i kanë realizuar nga 6 gola. Fjala është për Blerand Kurtishajn e Trepçës ’89 dhe Kastriot Rexhën e Besës. Kurse, dyshja e Lirisë, Florim Bërbatovci e Liridon Fetahaj i kanë realizuar nga pesë gola.

Ndërsa, nga katër gola i kanë shënuar Gëzim Rusi (Gjilani), Mevlan Zeka e Mentor Zhdrella (Feronikeli), Kastriot Mehmeti (Drenica), Alban Shillova (Drita) dhe Benjamin Emini (Llapi).

“Ka krizë të sulmuesve. Sulmuesit tanë janë të papërgatitur dhe nuk punojnë për t’u avancuar”, thotë ish-trajneri i Trepçës ’89, Fahredin Duraku.

Trajnerët, fajtorë të mëdhenj

Për numrin e vogël të golave të shënuar nëpër ndeshjet kampionale një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe trajnerët. Kështu thotë vetë trajneri i njohur, Fahredin Duraku. “Në krejt lëmitë duhet të përcillen trendet. E njëjta duhet të ndodhë edhe në futboll. Me keqardhje them se trajnerët kanë mungesë të njohurive taktike, përmes të cilave ekipet e tyre do të mund të prodhonin më shumë gola”, nënvizoi Duraku.

S’ka gola, s’ka shikues

Siç dihet, futbolli kosovar qe shumë vite është në krizë të shikueshmërisë. Në edicionin e kaluar, të pranishëm nëpër ndeshje kanë qenë mesatarisht nga 929 shikues, statistikë kjo e nxjerrë nga FFK-ja.

Sigurisht, ka shumë faktorë që nuk i lënë shikuesit të shkojnë nëpër stadiumet e Kosovës, të cilat janë në gjendje të mjerueshme infrastrukturore. Por, edhe ekspertët thonë se në këtë fenomen kanë ndikuar rezultatet e urryera në futboll, ato pa gola apo me shumë pak gola.

“Unë jam vet trajner dhe kur jam në bankinë dhe nuk reagon publiku, atëherë e di se diçka nuk është në rregull. Por, kur publiku reagon, këndon brohoret, atëherë e di se po zhvillohet lojë e pëlqyeshme për ta. Dihet se te ne nuk ka aso reagimesh të shikuesve”, shprehet Fahredin Duraku.

“Golat vijnë përmes aksioneve të mira e të ushtruara fortë. Krejt kjo duhet të ketë rrjedhojë nga një përgatitje e mirë taktike. Por, te ne pa ka shumë pak gola, e shumë lojëra të ngadalësuara”, potencoi ai. 

Exit mobile version