Investimet e dobëta në arsim, programet e ndryshme mësimore, angazhimi jo i mjaftueshëm i mësimdhënësve të caktuar dhe mungesa e metodave aktive në realizimin e procesit mësimor. Këto janë vetëm disa nga faktorët që ndikuan në rezultatet e dobëta të nxënësve të Maqedonisë nga testimi ndërkombëtar PISA për njohjen e gjuhës amtare, matematikës dhe shkencave.
Profesori universitar Avzi Mustafa tha për “Alsat” se rezultatet rrezikojnë të jenë edhe më të dobëta në rast se organet kompetente nuk vetëdijesohen dhe bëjnë analiza të duhura për të detektuar defektet.
“Unë mendoj se së pari duhet të analizohen tekstet shkollore të cilat ende janë të niveleve të mëparshme ku nuk ekzistojnë detyra me karakter kreativ dhe ajo që është më interesante dhe që duhet të kemi më tepër të shtuar vëmendjen është se në shkollë duhet të përdoren metoda aktive ku nxënësit vet do të jenë të aftë që ti fitojnë ato aftësi qoftë në shkencat apo në të lexuarit që të mund ti zbatojnë në praktikë”, deklaroi Avzi Mustafa, profesor universitar.
Mësimdhënësi i matematikës, Xhelal Ramadani tha se në këtë lëndë janë shënuar ngecje për shkak të programeve mësimore të ndryshme në arsimin fillor dhe të mesëm. Ramadani, madje shton se faktor i rëndësishëm për ngecje është edhe mos angazhimi i mjaftueshëm i mësimdhënësve të cilët për të mbijetuar kërkojnë edhe punë të dytë.
“Në shkollë fillore punohet me Kembrixh kurse në shkollë të mesme me program tjetër që do të thotë se nuk është kompatibil me atë dhe nxënësi në shkollë të mesme kur të del menjëherë ballafaqohet me diçka të re dhe mund të dështoj. Është e rëndësishme se vit për viti ballafaqohemi me mungesën e teksteve mësimore, kjo është një arsye se gati se 50 % e nxënësve nuk kanë ose pisen me libra në fund të gjysmëvjetorit, kjo është në dëm të nxënësve. Nxënësi nëse nuk ka libër problem e ki edhe ti shpjegosh. Një kategori njerëzish që edukojnë njerëz, që krijojnë kuadër, ata nuk janë të kënaqur me të ardhurat e veta”, u shpreh Xhelal Ramadani, mësimdhënës i matematikës.
Në testimin PISA, nxënësit e Maqedonisë radhiten në vendin e 71 për shkrim-lexim nga gjithsej 81 shtete dhe në vendin e 61 për matematikë. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se këto rezultate janë si pasojë e pandemisë COVID 19, duke nënvizuar se është shënuar rënie e përgjithshme e nivelit të shkrim-leximit, matematikës dhe shkencave te nxënësit e moshës 15 vjeçare te pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse.