Sipas rezultateve preliminare, nga të dhënat e Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI) tregojnë se kundërkandidati i presidentit të deritanishëm të Malit të Zi ka fituar shumicën e votave, në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Kështu raportojnë mediat në Mal të Zi, sipas të cilave, Jakov Milatoviq ka fituar 60 për qind të votave në raport me presidentin e deritanishëm Milo Gjukanoviq që ka fituar pjesën tjetër, përkatësisht 40 për qind të votave.
Ndryshe, sot (e diel) u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku morën pjesë kreu aktual i shtetit dhe lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Milo Gjukanoviq dhe nënkryetari i Lëvizjes “Evropa Tani”, Jakov Milatoviq.
Sipas mediave vendase, të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale patën 542.154 qytetarë.
Ndërkohë është bërë e ditur se deri në orën 20:00, kishin votuar 70.7% ose rreth 383,300 votues.
Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt për herë të parë që nga viti 1997, kur Momir Bulatoviq ishte kundërshtar i Gjukanoviqit.
Që atëherë, kandidati i DPS-së ka fituar zgjedhjet presidenciale që në raundin e parë.
Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë së Malit të Zi.
Në këtë vend, presidenti i vendit zgjidhet për pesë vjet ndërsa raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbajt më 19 mars me pjesëmarrjen e shtatë kandidatëve, por askush nuk fitoi shumicën e nevojshme të votave (më shumë se 50 për qind).
Sipas rezultateve të përkohshme të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), në raundin e parë, Gjukanoviq fitoi 35,37 për qind të votave (ose 119.673 vota), ndërsa Milatoviq 28.92 (97.858) ndërsa sipas të dhënave të autoriteteve zgjedhore, pjesëmarrja në raundin e parë ishte 64 për qind. /Telegrafi/