Telegrafi

Rezultatet e para jozyrtare nxjerrin PDK-në fituese

Pjesëmarrja në votime ka qenë më e ulët krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor në zgjedhje kanë dalë 40-45 për qind të votuesve dhe procesi i votimit ka kaluar pa probleme. Një përqindje të ngjashme të daljes në zgjedhje ka dhënë edhe koalicioni Demokracia në Veprim, sipas të cilit në zgjedhje kanë dalë pak mbi 45% të votuesve.

Megjithëse, votimi përfundoi në orën 19.00, disa qendra votimi ndenjën hapur edhe më vonë për ata që ishin në radhë. Shqiptarët shkuan në qendra votimi me gjithë të ftohtin dhe borën. Por kjo gjë nuk mund të thuhet për serbët. Minoriteti serb i aftë për votim pothuajse i gjithi i bojkotoi zgjedhjet me gjithë apelin ndërkombëtar për të marrë pjesë në zgjedhje. Duket se ata i kanë kushtuar vëmendje fjalëve të Beogradit për të bojkotuar votimet.

Numërimi i votave pritet të zgjasë dy-tre ditë, pastaj do të formohet një qeveri që pritet të drejtojë Kosovën në atë që çdo kush pret të jetë periudhë e vështirë përpara.