Telegrafi

Rezoluta s’do ta ketë asnjë efekt

Klinaku, mendon se rezoluta e cila pritet të miratohet të enjten në Kuvend nuk do të ketë asnjë efekt në jetën e qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se më Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë mekanizëm që do të mund ta detyronte Serbinë të bëjë më tepër për shqiptarët e asaj pjese.

Sipas tij, këtë mundësi Qeveria e Kosovës e ka pasur gjatë bisedimeve me Serbinë, para se të pajtoheshin për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.

“Nuk do të ketë ndonjë efekt, sepse Qeveria e Kosovës nuk ka mekanizëm që do ta detyrojë Serbinë t’i përmbushë ato që i parasheh rezoluta. Ai mekanizëm para bisedimeve ka ekzistuar, por nuk është përdorur, ndërsa tash Serbia nuk e ka asnjë arsye për të biseduar me një shtet që i ka normalizuar marrëdhëniet dhe nuk e ka ngritur me kohë çështjen e Kosovës lindore”, ka deklaruar Klinaku.

Në këtë kontekst, ai ka shtuar se tani e vetmja alternativë që opinioni ndërkombëtar të sensibilizohet me këtë problematikë do të jetë vetë organizmi i shqiptarëve të asaj pjese.

Kreu i LB-së ka vlerësuar se dy partitë më të mëdha në vend tani po e keqpërdorin këtë çështje. Konkretisht, ai e ka kritikuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe deputetin e LDK-së, Lutfi Haziri, se çështjen e Kosovës lindore po e përdorin vetëm për qëllime elektorale.

“Interesat zgjedhore po i shtyjnë këto subjekte politike sepse, pas përfundimit të bisedimeve dhe, siç po deklarojnë, normalizimit të marrëdhënieve, të përpiqesh për të ngritur një çështje për ne është absurde. Kjo po bëhet vetëm për interesa elektorale”, është shprehur Klinaku. /Telegrafi/