Telegrafi

Rezistenca ndaj antibiotikëve, shqetësim në rritje

Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron rezistencën ndaj antibiotikëve, si një nga tre kërcënimet më të mëdha për shëndetin e njeriut. Përdorim jo i saktë i këtyre barnave ka çuar në krijimin e baktereve të qëndrueshme.

Ekspertët thonë se nëse përpjekjet për të luftuar problemin nuk fillojnë tani, infeksionet dikur të shërueshme mund të bëhen të rrezikshme.

Dr. Thomas Frieden, drejtor i Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë për të trajtuar rrezikun në mënyrë që terapitë aktuale të mos arrijnë të bëhen të paefektshme ndaj sëmundjeve infektive.

"Nëse problemi nuk trajtohet tani, njerëzimi mund të hyjë në një epokë me pak ose asnjë ndërhyrje klinike për të luftuar disa infeksione", tha Frieden.

Specialistët janë të shqetësuar se sa më shumë që një antibiotik përdoret, aq më pak i efektshëm bëhet. Mutacioni ose ndryshimi gjenetik i baktereve, që i bën ato më rezistente ndaj antibiotikëve, është një proces natyror. Por ky proces është shpejtuar për shkak të përdorimit të tepruar të antibiotikëve.

Dr. Donald Poretz thotë se bakteret rezistente mund të çojnë në shtimin e disa sëmundjeve të rënda, si infeksionet e lëkurës e mushkërive.

Një nga infeksionet më vdekjeprurës i lindur nga rezistenca bakteriale është Methicillin-Rezistent Staphylococuk Aureus, i njohur zakonisht si MRSA, i cili shkakton vdekjen e 19.000 njerëzve çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara. Që nga viti 2002, rreth dy milionë infeksione të MRSA merren në spitalet amerikane çdo vit. Dr Poretz thotë se këto infeksione mund të përhapen globalisht.

Kompanitë farmaceutike kanë pakësuar prodhimin e antibiotikëve, dhe kjo e rëndon problemin, thonë shkencëtarët. Edhe përdorimi i antibiotikëve, më pak sesa doza e nevojshme, do të thotë se bakteret mbijetojnë duke u bërë më rezistent.

Dr. Anthony Fauci i Institutit Kombëtar amerikan të alergjive dhe sëmundjeve infektive thotë se kompanitë farmaceutike i kanë pakësuar prodhimet e antibiotikëve për shkak të fitimeve të ulëta nga këto ilaçe. Këto firma tani përqendrohen kryesisht në barna që përdoren në çdo kohë e nga shumica e njerëzve, dhe më pak në antibiotikë që merren vetëm në raste infeksionesh.

Ekspertët thonë se zgjidhja qëndron në edukimin pacientëve dhe mjekëve për të ndaluar përdorimin e antibiotikëve kur nuk janë të nevojshme. /VoA/