Telegrafi

Rezervuari misterioz me gaz që u gjet nën bregdetin japonez, mund të jetë një burim i madh i energjisë apo një ‘bombë e kurdisur’

Gjeologët që po kërkonin me valë sizmike, kanë gjetur nën bregdetin e Japonisë, një rezervuar misterioz me përmasa shumë të mëdha me gaz natyror.

Kompozicioni i masës është ende i panjohur, ndërsa mendohet të përbëhet nga metani ose dyoksidi i karbonit, që është liruar nga llava në thellësi të Tokës, transmeton Telegrafi.

Xhepi i gazit që u zbulua nën ujërat e bregdetit japonez, mund të jetë një burim i rëndësishëm i energjisë, sikur të jetë i dominuar nga metani. Në anën tjetër, po konsiderohet edhe si ‘bombë e kurdisur’, sepse gazrat e tilla që krijohen nën sipërfaqe, janë të gatshme të dalin, duke shkaktuar në këtë formë, dëme në ekosistem dhe ngritje temperaturash.

Mirëpo, si do që të jetë, ky rezervuar nuk është i vetmi, pasi në afërsi besohet të ketë edhe të tjerë, me madhësi të njëjtë.

Sizmologu Andri Hendriyana dhe kolegët e tij nga Universiteti Kyushu, e zbuluan rezervuarin gjigant duke përdorur valët e presionit sizmik. Këto valë – të ngjashme me ato që i krijon tërmeti – mund të zbulojnë natyrën shkëmbinjve nën det, nga sinjalet që iu kthehen prapa.

“Lëvizja e këtyre valëve, është shumë më e ngadaltë nëpër gazra, sesa në trupa të ngurtë. Me anë të valëve sizmike, mund të gjejmë gazrat nëntokësore, si dhe të kuptojmë përafërsisht se sa të lagësht janë” ka thënë Hendriyana.

Studimi i ri, ka shfrytëzuar një teknikë të re kompjuterike, që ka krijuar një hartë të hapësirës se ku ndodhet ky gaz, shumë më mirë se në herët e kaluara. /Telegrafi/