Telegrafi

Rey Manaj regjistrohet në ekipin e parë të Barcës së bashku me Depay e Garcia – e gjitha falë Pique

(Foto: Instagram/reymanaj97)

Barcelona ka konfirmuar se Memphis Depay, Eric Garcia dhe Rey Manaj, janë regjistruar në La Liga dhe do të jenë në dispozicion për ndeshjen kundër Real Sociedadit që zhvillohet të dielën mbrëma.

Para kësaj jave, asnjë nga transferimet e reja nuk ishte regjistruar, por tashmë treshja e përmendur i është bashkuar Emerson Royal (regjistrimi i të cilit u konfirmua të enjten), ndërsa i lënduari Sergio Aguero mbetet akoma i paregjistruar.

Blaugranët kanë njoftuar se regjistrimi i tre futbollistëve ka ardhur falë Gerard Pique, i cili është pajtuar ta zvogëlojë pagën në masë të madhe, megjithëse përqindja e saktë nuk është bërë e ditur.

Klubi është duke i vazhduar bisedimet me Sergio Busquets dhe Jordi Alba për zvogëlimin e rrogave të tyre, meqë situata është bërë urgjente për katalunasit.

Pos zvogëlimit të pagës së Pique, të hyrat e Barcelonës janë rritur për 37.5 milionë euro nga largimet e Jean-Clair Tobido, Junior Firpo, Francisco Trincao, Carles Alena dhe Konrad de la Fuente.

Njëherësh, në listën e pagave nuk e kanë më rrogën e majme të Lionel Messit, i cili vendosi të mos rinovonte me Barcën dhe kaloi si transfer i lirë te Paris Saint-Germaini. /Telegrafi/

(Foto: Instagram/reymanaj97)