Asnjë hoxhë nuk ka guxuar të agjitojë për asnjë parti politike në fushatën zgjedhore, dhe ky urdhër është respektuar plotësisht. Kështu u shpreh kryetari i Bashkësië Fetare Islame. Ai reagoi ndaj deklaratës së Gruevskit duke thënë se sindromi i fajtorit kujdestar u ringjall përsëri në Maqedoni në proporcion me vazhdimin e krizës politike. Megjithatë, ai potencon se ky është qëndrimi i tij personal, e jo reagim zyrtar i BFI-së.
“Më duhet të them medomeos se akuza që erdhi nga ish kryeministri se hoxhallarët e paskan votuar kundërshtarin e tijë, tingëlluan së paku si jo serioze. Sepse, po them me përgjegjësi, hoxhallarët s’kanë kurfarë pune me atë, ata kanë obligimet e tyre në organizimin e jetës fetare islame dhe në kultivimin e vlerave shpirtërore të xhemateve të tyre”, tha Sulejman Rexhepi.
Ndaj deklaratës së liderit të OBRM-PDUKM-së reaguan edhe nga Partia për Lëvizjen e Turqve në Maqedoni.
“Në paraqitjen e tij të dëshpëruar, Gruevski dëshiron që fajin për humbjen në zgjedhje t’ua hedh hoxhallarëve. Me këtë qëndrim Guevski përpiqet ta nënçmojë inteligjencën e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, thonë nga kjo parti.
Ndaj qëndrimit të ish kryeministrit reagoi edhe analisti Ramadan Ramadani.
“Atë e kapën besimtarët ortodoksë me fallxhore, ndërsa tani fajtorë i qenkan hoxhallarët?! Por çfarë me faktin që ka përgjuar edhe hoxhallarë dhe që ka humbur edhe në fshatrat dhe qytetet ku nuk ka pasur hoxhallarë?! Kështu e mëson fallxhorja: pas Sorosit dhe fuqive botërore, tani fajtorë i janë edhe hoxhallarët”, tha ai.
Reagimet nga pjesëtarët e BFI-së vijnë pas deklaratës së Gruevskit dhënë në intervistën e së shtunës për televizionin Nova ku ai thotë se hoxhallarët kanë agjituar tek besimtarët për ta votuar LSDM-në, raporton TV 21.
“Tek disa shqiptarë më shumë ndikuan emocionet dhe filluan të votojnë për LSDM-në duke u besuar gënjeshtrave dhe manipulimeve të saj. Si rezultat i kësaj, ata fituan një pjesë të votave shqiptare. Ndoshta 10 deri 15 mijë vota. Ndërkaq votat tjera të shqiptarëve ishin si pasojë e asaj që është punuar në terren nga fshati në fshati, nga hoxha në hoxhë”, tha Gruevski.
Sipas Gruevskit, nga numri i përgjithshëm i votave shqiptare që LSDM-ja i fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, 10 deri 15 mijë vota ranë pre e manipulimeve dhe e gënjeshtrave të LSDM-së. /Telegrafi/