Këto dy ditë në Ohër profesorë, akademikë, punonjës të arsimit islam, si dhe përfaqësues të bashkësive islame nga Maqedonia dhe rajoni, do të debatojnë në konferencën e tretë ndërkombëtare me temë “Medresetë shqiptare në kohën e sotme: Kurrikulat dhe tekstet shkollore”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo konferencë ndërkombëtare organizohet nga Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam (IIIT) dhe Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS) – Sarajevë dhe Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup.
Synimet e konferencës janë përpjekjet për të studiuar, analizuar dhe evidentuar zhvillimet e aspekteve të ndryshme të mendimit islam te shqiptarët, gjendjen aktuale, sfidat me të cilat përballet dhe perspektivat e saj. Në këtë konferencë po ashtu do të prezantohen e modele të arsimit islam nga bashkësitë islame fqinje, siç janë Sanxhaku dhe Bosnja.
Drejtor i AIITC-së, Ramiz Zekaj, në hapjen e konferencës tha se këto takime organizohen për ndërgjegjësimin e studiuesve, akademikëve, intelektualëve dhe i të gjithë atyre që kujdesen, punojnë dhe kontribuojnë në fushën e dijes, kulturës dhe arsimit islam, për produktin dituror, intelektual dhe edukativ që i ofrojnë shoqërive të hapësirës shqiptare.
Ndërkaq, kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) i Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, deklaroi se medresetë në hapësirat shqiptare të Ballkanit kanë luajtur veç të tjerash edhe rolin e kalitjes së personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme fetare dhe kombëtare.
Rexhepi apeloi për themelimin e një iniciative për ngritjen e zërit fetar dhe kombëtar deri te qeveritë aktuale për ta pranuar si domosdoshmërisht të patjetërsuar nevojën e akreditimit të medreseve si shkolla të mesme shtetërore. “Ne si shoqëri nuk guxojmë që edhe më tej të veprojmë si shoqëri private. Akreditimi i shkollave tona të mesme, me të gjitha specifikat e veta, dallimet dhe lëndët e veçanta, duhet të konceptohen si vlera të pamohueshme në sistemin e gjithmbarshëm arsimor. Kjo është sfida prioritare, kujtoj unë, që urgjentisht duhet ta tejkalojmë”, deklaroi Rexhepi.
Ndryshe, kjo konferencë dy ditore është e ndarë në gjashtë sesione në të cilat njohës dhe profesorë universitar të shkencave islame nga vendi dhe rajoni do të debatojnë mbi medresetë midis së kaluarës dhe të sotmes, metodat e mësimdhënies në medresetë shqiptare, si dhe çështje të tjera të kurrikulave të lëndëve fetare islame.