Telegrafi

Rexhepi: Ligji për themelimin e Agjencisë së Sigurisë në Komunikacion do të miratohet në tremujorin e parë të 2023

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, pas takimit në një puntori të organizuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me Bankën Botërore për kapacitet e menaxhimit të sigurisë rrugore tha se në tremujorin e parë të 2023 do të jetë gati ligji për themelimin e Agjencisë së Sigurisë në Komunikacion.

Në këtë drejtim, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është duke inicuar procedurën për marrjen e Asistencës Teknike për themelimin e Organit Ekzekutiv për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, financuar përmes BE-së në kuadër të instrumentit EIUF projekt që u realizua gjatë vitit 2020 dhe fillimit të vitit 2021, ku rezultuan 7 raporte në kuadër të projektit të lartpërmendur për krijimin e një organi ekzekutiv.

Agjencia do të mundësojë një mbështetje të qartë duke përmirësuar sigurinë në komunikacion, por do të ketë edhe një ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv edhe në ekonominë e vendit tonë.

“Aktualisht, projektligji për themelimin e agjencisë për siguri në komunikacion është në konsultime ndërinstitucionale, pas së cilës pritet të dorëzohet në Qeveri. Ligji pritet të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2023” – përfundoi fjalimin e tij zëvendësministri Rexhepi.