Telegrafi

Rexhepi kërkon më shumë siguri në Mitrovicë

Rexhepi potencoi se javën e kaluar në veri kanë ndodhur disa incidente që kanë shqetësuar banorët, por që për fat të mirë kanë kaluar pa pasoja në njerëz. Ai tha se shpërthimet në Lagjen e Boshnjakëve dhe grafitet provokuese të shkruara në shtëpitë e shqiptarëve janë bërë me qëllim të tensionimit të gjendjes.

Kryetari i Mitrovicës dënoi këto incidente dhe kërkoi nga organet përgjegjëse që të marrin masa për arrestimin e personave që janë duke ndikuar në tensionimin e situatës, përderisa shprehu admirim për sjelljen dhe vetëpërmbajtjen e qytetarëve, të cilët janë duke kontribuuar që gjendja të mbetet nën kontroll.

Rexhepi tha se masat e sigurisë duhet të shtohen edhe për shkak të paralajmërimeve të liderëve serbë për shënimin 17 marsit, që po ashtu kanë për qëllim krijimin e një ambienti të trazuar. Sipas tij, për masa shtesë të sigurisë ka nevojë edhe në Lagjen e Doktorëve, ku së shpejti pritet të kthehen disa familje në shtëpitë e tyre të rindërtuara, bën të ditur Zyra për Informim e KK të Mitrovicës.

Për këto incidente folën edhe përgjegjësit e strukturave të sigurisë që ishin të pranishëm në këtë takim. Nexhip Gashi, nga Policia Rajonale, përveç incidenteve në veri të Mitrovicës, përmendi edhe rastin e djegies së një veturë të policisë në Zubin Potok.

Ai tha se gjendja është e qetë, por këtë javë masat e sigurisë janë më të larta, në mënyrë që situata të jetë nën kontroll. Si masë konkrete ai ceku shtimin e numrit të patrullave në lagjet e përziera me popullatë në veri të qytetit. /Telegrafi/