Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kjo qeveri koti varet nga Lista Serbe.
“Këta po e quajnë qeveri ilegale mirëpo mua ironikisht po më vie me dëshirë me quajt qeveri koti, sepse kjo qeveri koti e ka bërë zëvendëskryeministër Goran Rakiqin. Shmangia e debatit nëpër çështje logjistike të zyrave, nuk e shmang që kjo qeveri është e varur nga Lista Serbe”, ka thënë Rexhaj.
Ai ka thënë se po vërehet zell i madh edhe nga PDK-ja, së bashku me qeverinë që të bëjnë goditje ndaj ish-qeverisë dhe LVV-së.
Pas kësaj ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili kërkoi që deputeti Rexhaj të përjashtohet nga seanca.
“Në bazë të kodit të mirësjelljes në Kuvend, deputetët që përdorin emra, mbiemra me referenca mos të përdorin gjuhë jo parlamentare. Përdorimi i mbiemrit me referencë negative apo pezhorative konsiderohet shkelje e gjuhës parlamentare dhe kodit të mirësjelljes. Kërkoj nga deputeti parafolës që të tërheqë mënyrën e diskutimit ose të përjashtohet nga seanca”, tha Gashi.
Pas kësaj reagoi deputeti Rexhaj i cili tha se këtu nuk ka gjuhë jo parlamentare.
“Nuk ka gjuhë jo parlamentare këtu, ka ironi dhe në nivel të gjuhës së dytë konotative. Sa kam qenë deputet asnjëherë askënd nuk e kam fy. Nuk ka të bëjë me gjuhë jo parlamentare”, tha Rexhaj. /Telegrafi/