Pezullimit të programeve arsimore në nivelin e lartë të arsimit nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, nuk i ka shpëtuar as departamenti i Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Agjencia e Akreditimit ka vendosur që të pezullojë programet arsimore në nivelin master dhe doktoraturë në departamentin e Gazetarisë, për shkak të mungesës së stafit akademik.
Kështu kë bërë të ditur në emisionin “Përballje”, Blerim Rexha nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës.
“Në Gazetari kanë vendosur një bartës për studimet master që ka nivelin master e që nuk është e pranuar me statutin e UP-së edhe me udhëzimin administrativ të agjencisë dhe ligjin e arsimit të lartë. Po ashtu në doktoraturë nuk kanë vendosur bartës fare siç kërkohet me ligj”, ka thënë Rexha.
Ai ka thënë se të gjitha institucionet i janë nënshtruar një procesi të tillë, dhe se e njëjta masë ndëshkuese ka vlejtur për të gjitha ato institucioneve të arsimit të lartë që nuk i kanë përmbushur ligjin.
“Kjo ka ndodhë edhe në institucionet tjera jo vetëm në departamentin e Gazetarisë. Sapo ti përmbushin kushtet ne do ta largojmë masën e pezullimit dhe do të vazhdojnë me pranimin e studentëve”, tha Rexha. /Telegrafi/