Këshilli i Agjencisë së Kosovës ditë më parë ka marrë vendim për pezullimin e akreditimit të gjithsejtë 131 programeve të studimit të ofruar prej institucionet publike dhe private të arsimit të lartë.
Lidhur me këtë në emisionin “Përballje”, Blerim Rexha nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, ka thënë se agjencia që nga viti i kaluar i ka njoftuar të gjithë bartësit e arsimit të lartë në Kosovë për mungesën e stafit akademik.
“I kemi takuar të gjithë në tetor, nëntor të muajit e kaluar, në dhjetor ju kemi shkruar të gjithë institucioneve të arsimit të lartë ku i kemi përkujtuar për vendimet që i presin në mbledhjen e qershorit, që duhet të plotësojnë stafin akademik. Po ashtu ju kemi dërguar letra që të kenë kujdes se ju mungon stafi akademik”, ka thënë Rexha.
Ai ka shtuar se vendimi për pezullimin e këtyre programeve ka ardhur pasi që nuk e kanë plotësuar kushtin minimal siç kërkohet me ligjin aktual në fuqi për tre doktor shkence.
“Pezullimi i akreditimit të këtyre programeve të studimit nënkupton që këto institucione nuk do të kenë të drejtë të regjistrojnë studentë të rinj për vitin e ardhshëm akademik 2017/18”, u shpreh Rexha.
Rexha po ashtu shtoi se ka mundësi që disa nga këto programe t’i përmirësojnë gabimet deri në shtator dhe pastaj do të mund të fillojnë me pranimin e studentëve. /Telegrafi/