Telegrafi

Rexha: Përjashtimi i AKA-së nga EQAR, lajm i keq për institucionet e arsimit të lartë

Ish-drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Blerim Rexha ka reaguar pas përjashtimit të kësaj agjencie nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Rexha përmes një postimi në Fcebook, ka thënë se ky është një lajm i keq për të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë dhe për të gjithë studentët e Kosovës.

“Se shkarkimi i të gjithë anëtareve të Bordit të Agjencisë dhe ushtruesit të detyrës ishte bërë pa bazë ligjore tani po e konfirmon edhe EQAR. Është për shumë keqardhje forma si Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi mundohet të arsyetoj veprimet e tij tendencioze dhe skandaloze para EQAR-it”, ka shkruar Rexha.

Postimi i plotë i tij :

AKA përjashtohet nga EQAR

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), dje me vendimi të Këshillit të Regjistrit, është përjashtuar nga Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (European Quality Assurance Register for Higher Education – EQAR), siç është cekur në vendimin e publikuar në ueb faqen EQAR-it. Ky është një lajm i keq për të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë dhe për të gjithë studentët e Kosovës. Se shkarkimi i të gjithë anëtareve të Bordit të Agjencisë dhe ushtruesit të detyrës ishte bërë pa bazë ligjore tani po e konfirmon edhe EQAR. Është për shumë keqardhje forma si Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi mundohet të arsyetoj veprimet e tij tendencioze dhe skandaloze para EQAR-it. Agjencia e Akreditimit tani me staf të përgjysmuar, është gati para shpërbërjes ndërsa me këtë veprim po shkatërrohet i gjithë reputacioni, i ndërtuar me vite dhe me shumë mund, i të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë. Ndoshta ky ka qenë edhe synimi final i Ministrit Bytyqi dhe klikës së tij! /Telegrafi/