Site icon Telegrafi

Rexha nga D+: Marrëveshja për liri të lëvizjes dhe Mini-Shengeni Ballkanik kanë dallime thelbësore, gabim nëse konsiderohen të njëjta

Qeveria e Kosovës javën e kaluar miratoi dy nisma, njërën për lidhjen e “Marrëveshjes ndërkombëtare për Lirinë e Lëvizjes dhe Qëndrimit të shtetasve të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë” dhe “Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve të palëve të treta”. 

Për këto nisma kryetari në detyrë i partisë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj aludoi se kanë të bëjnë me Mini-Shengenin Ballkanik, nismë kjo që më parë ishte refuzuar.

Por me deklaratën e Enver Hoxhajt që marrëveshjet e tilla kanë të bëjnë me Mini-Shengenin Ballkanik nuk pajtohet njohësja e zhvillimeve politike, Albana Rexha.

Rexha nga Demokraci Plus (D+) vlerëson se marrëveshja për Liri të Lëvizjes me Mini-Shengenin Ballkanik ka dallime thelbësore si dhe e quan gabim strategjik dhe politik nëse këto të dyja konsiderohen si të njëjta.

Ajo tha se marrëveshja për Liri të Lëvizjes derivon nga procesi i Berlinit, përkatësisht Samiti i Sofjes, i cili është iniciuar dhe ka mbështetjen e Angela Merkel për dallim nga Mini-Shengen i cili është iniciuar nga Aleksandar Vuçiq.

Lexo po ashtu Qeveria miraton nismën që i lejon qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës udhëtimin vetëm me letërnjoftime

“Vlerësoj se ka dallime thelbësore nga miratimi i marrëveshjes për Liri të Lëvizjes me Mini-Shengenin pjesë e së cilës refuzoi të jetë edhe Kosova, përveç Maqedonisë Veriore dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe është gabim strategjik dhe politik nëse këto të dyja konsiderohen si të njëjta. Fillimisht, marrëveshja për Liri të Lëvizjes derivon nga Procesi i Berlinit, përkatësisht Samiti i Sofjes, i cili është iniciuar dhe ka mbështetjen e Angela Merkel për dallim nga Mini-Shengen i cili është iniciuar nga Aleksandar Vuçiq, lider me tendenca autoritare dhe shtet i cili nuk pranon ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë i bën më së shumti pengesa shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Rexha.

Albana Rexha

Ajo po ashtu u shpreh se marrëveshja për Liri të Lëvizjes ka mbështetje politike dhe financohet nga Bashkimi Evropian, për dallim nga Mini-Shengeni i cili nuk ka mekanizëm të qartë financimi.

“Së dyti, marrëveshja për Liri të Lëvizjes ka mbështetje politike dhe financohet nga Bashkimi Evropian, për dallim nga Mini-Shengeni i cili nuk ka mekanizëm të qartë financimi dhe nuk ka mbështetjen politike të të gjitha vendeve të Ballkanit”, tha Rexha.

Lexo po ashtu Hoxhaj: Urime Jugosllavia e re Albin!

Sipas saj, Mini-Shengeni ka mbet në formën e një deklarimi të bërë nga Vuçiq pa ndonjë plan veprimi konkret dhe mekanizëm bashkëpunimi.

“Së treti, Mini-Shengeni ka mbet në formën e një deklarimi të bërë nga Vuçiq pa ndonjë plan veprimi konkret dhe mekanizëm bashkëpunimi, për dallim nga marrëveshjet për Liri të lëvizjes të cilat koordinohen nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (Regional Cooperation Council), mekanizëm i financuar nga BE dhe janë konkrete”, tha tutje ajo.

Ndërkaq, si vlerësoi Rexha nga D+, Kosova përfiton nga miratimi i marrëveshjes për Liri të Lëvizjes.

“Së fundmi, dua të theksoj se Kosova përfiton me miratimin e marrëveshjes për Liri të Lëvizjes pasi që qytetarët e Kosovës, fatkeqësisht në pamundësi për të lëvizur lirshëm në BE, tani së paku do të lëvizin lirshëm në BiH, pa pasur nevojë për viza”, tha ndër të tjera Rexha nga D+. /Telegrafi/

Exit mobile version