Telegrafi

Revolucioni lokal

Rezultati i rundit të dytë të zgjedhjeve lokale u ka treguar edhe një herë partive politike se bastionet nuk janë të sigurta. Ky rezultat ka qenë befasues jo vetëm për opinionin publik, por edhe për vetë partitë politike.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, të cilët thonë se tashmë nuk ka asnjë bastion të sigurt.

Megjithëkëtë ata vlerësojnë se rezultati i mirë i disa partive në këto zgjedhje mund t’i nxisë ato që të bëjnë përpjekje për organizim të zgjedhjeve nacionale, shkruan tutje “Zëri”.

Me gjithë sukseset dhe dështimet shumica e partive politike shprehen të kënaqura me rezultatet e zgjedhjeve lokale.

Përderisa përfaqësuesit e LDK-së (partia që mori më së shumti komuna, tetë), shprehen të sigurt se një rezultat i tillë do t’u përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale, ata të PDK-së konsiderojnë se beteja në këtë garë ka qenë e pabarabartë (ani pse fitoi 5 komuna).

Fituesja e dytë e këtyre zgjedhjeve (AAK-ja, me 7 komuna) konsideron se ky rezultat dëshmon stabilitetin dhe rritjen e këtij subjekti, ndërsa ata të LVV-së, ndonëse mbeten të kënaqur me rezultatin, pas fitores në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë thonë se kishin synime më të mëdha. /Zëri/