Liga e Kombeve 2022/2023, e fituar nga Spanja pas penalltive ndaj Kroacisë, është e fundit që do të luhet në këtë format dhe sezoni i ri do të ndryshojë mënyrën e zhvillimit të kësaj gare të UEFA-s.
Risia kryesore është se numri i skuadrave që do të luajnë në turneun final po rritet, pra në vend të gjysmëfinaleve do të luhen edhe çerekfinalet.
Kjo fazë do të luhet në muajin mars dhe do të jetë lidhja ndërmjet fazës së grupeve dhe ‘Final Four’.
Deri më tani kombëtaret që kanë fituar grupet elitare në Ligën e Kombeve A shkonin direkt në ‘Final Four’, ndërsa nga tani dy kombëtaret e para nga grupet do të shkojnë në çerekfinale.
Çerekfinalet do të luhen me dy ndeshje dhe katër fituesit do të kalojnë në “Final Four”.
Ndryshimet tjera, ku preket edhe Kosova
Do të ketë ndryshime edhe për skuadrat e vendeve të treta nga Liga A dhe skuadrat e renditura si të dytat nga Liga B, si dhe skuadrat e vendit të tretë nga Liga B dhe skuadrat e renditura të dyta nga Liga C. Këto ekipe do të luajnë play-off për promovim dhe rënie.
Kosova që aktualisht është në vendin e dytë në Ligën C, nëse arrin ta mbajë këtë pozitë edhe edicionin e ardhshëm, do të luante play-off me një kombëtare që zë vendin e tretë në grupin e tyre në Ligën B.
Kombëtaret që nuk kalojnë në çerekfinale do të nisin kualifikimet për Kampionatin Botërorin 2026.
55 kombëtare evropiane do të ndahen në 12 grupe. Fituesit e grupeve do të shkojnë direkt në SHBA, Meksikë dhe Kanada, dhe nënkampionët do të luajnë play-off.
Formati i vjetër dhe fituesit
Formati origjinal i Ligës së Kombeve është luajtur që nga fillimi i tij në 2018, dhe ky është ndryshimi i parë që ka bërë UEFA.
Kujtojmë se Spanja mundi Kroacinë mbrëmë pas penalltive dhe fitoi trofeun e parë në Ligën e Kombeve.
Edicionin e parë të kësaj gare e fitoi kombëtarja e Portugalisë, ndërsa edicionin e dytë Franca. /Telegrafi/