Telegrafi

Revoltohen familjet në asistencë sociale

Dhjetëra kryefamiljarë nga qyteti i Mitrovicës, të cilët janë në asistencë sociale, të hënën i janë drejtuar zyrës së kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, në shenjë revolte për ndërprerjen e asistencës sociale së tyre nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, duke mos hezituar të drejtojnë akuza në adresë të ministrisë në fjalë, për siç u shprehën, ndërprerjen e bukës së gojës.

Bahtiri tha se është dhe do të jetë gjithmonë zëri i tyre në nivelin qendror, atje ku është marrë një vendim i tillë, për të zgjidhur problemin.

“Ju e dini që komuna nuk ka të bëjë me asistencat sociale. Kjo është e drejtë dhe përgjegjësi e nivelit qendror, por ju premtoj se unë do të jem zëri juaj. Kam biseduar për këtë çështje me ministrin dhe ai është duke u marrë me këtë punë, për të parë se pse është bërë një gjë e tillë dhe sapo të marrë përgjigje do të ju informoj për këtë”, ka thënë Bahtiri para qytetarëve të tubuar.

Në mesin e të ankuarve, kishte edhe të tillë që rrëfyen se ka ndodhur edhe më parë që u është ndërprerë asistenca sociale me marrëveshje, pasi që siç thanë ata, ju kanë thënë se shteti nuk ka para, dhe këta qytetarët i kanë kuptuar.

Mirëpo, sipas tyre, kësaj radhe nuk ka pasur asnjë paralajmërim.

Ndryshe, një pjesë të qytetarëve u është ndërprerë në tërësi asistenca sociale që nga viti i kaluar, ndërkaq disa të tjerë kanë marrë nga 10 deri në 20 euro më pak asistencë sociale sesa më parë. /Telegrafi/