Enti Shtetëror i Revizionit ka shpalosur një sërë parregullsish në punën e Institutit të Shëndetit Publik. Shfrytëzimi i veturave zyrtare për qëllime personale, shfrytëzimi i lëndëve djegëse në llogari të Institutit dhe mos definimi mbi atë se kush dhe sa mund të harxhojë nga buxheti i tij janë vetëm disa nga parregullsitë e konstatuara.
Revizioni ka shpalosur se ISHP ka harxhuar 444 mijë denarë nëpër restorante dhe kafene pa sqarime nëse të njejtat janë shfrytëzuar në mënyrë ligjore dhe për nevojat e Institutit. Instituti nuk ka rregullore të qartë se kush dhe për çfarë nevojash mund ti shfrytëzojë veturat zyrtare në mënyrë që të shmangen shpërdorimet.
Mjetet e paguara në dorë nga shërbimet e dhëna mjekësore, referenti përgjegjës në Institut i ka paguar tek arkëtari kryesor i Shtëpisë së Shëndetit me vonesë prej 2-3 muajsh, ndërsa mjetet e paguara nga pacientët privat i ka paguar 2-3 herë në vit.
Revizioni po ashtu ka konstatuar se një pjesë e dokumentacionit në arkë është e paplotësuar dhe e parregulluar, pa datë si dhe numra të fshirë dhe të korrigjuar.