Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri tha për Telegrafin se revitalizimi i urës së Ibrit do të bëhet me 14 gusht, ndërsa para revitalizimit do të hiqen edhe disa barrikada të cilat ndodhen në veri të Mitrovicës.
Ai bëri të ditur se janë duke biseduar për heqjen e disa barrikadave tjera dhe kjo pritet të ndodh këto dy ditë para revitalizimit të urës së Ibrit.
Bahiti tha se janë lajmëruar të gjitha organet kompetente edhe Policia e Kosovës për ditën kur do të revitalizohet ura e Ibrit.
“Revitalizimi i urës së Ibrit do të bëhet më 14 gusht këtë të diel. Janë kryer të gjitha punët edhe organet e policisë janë njoftuar. Tani jemi duke biseduar edhe për largimin e të gjithave barrikadave brenda qytetit para se të ia filloj revitalizimi i urës. Deri nesër do t’ju tregojmë se kur do të largohen disa barrikada që janë brenda qytetit të veriut të Mitrovicës”, ka thënë kryetari i Mitrovicës për Telegrafin, Agim Bahtiri.
Ndryshe, ministrja për Dialog, Edita Tahiri ditë më parë ka thënë se revitalizimi i urës së Ibrit duhet që patjetër të fillojë me 14 gusht.
“Kompania e kontraktuar nga Bashkimi Evropian duhet që punimet për këtë projekt t’i ketë të detajuara deri në këtë kohë, në mënyrë që menjëherë të fillojnë punimet, të cilat në fakt ishin planifikuar të kryheshin qysh në qershor të këtij viti”. /Telegrafi/