Site icon Telegrafi

Revista “Charlie Hebdo” riboton karikaturat e Profetit Muhamed

Revista satirike franceze, “Charlie Hebdo” ka ribotuar karikaturat e Profetit Muhamed që i bëri ata shënjestër të një sulmi vdekjeprurës terrorist në vitin 2015.

Ripublikimi vjen një ditë para se 14 persona të dalin në gjyq, të cilët janë akuzuar se kanë ndihmuar dy sulmues islamik që kryen krimin me armë më 7 janar të vitit 2015.

Dymbëdhjetë njerëz u vranë, duke përfshirë karikaturistë të famshëm gjersa disa ditë më vonë pesë persona vdiqën në një sulm tjetër në Paris, raporton BBC.

Kopertina e përparme e edicionit të fundit përmban 12 karikatura të Profetit Muhamed, të cilat u botuan në një gazetë daneze para se të shfaqeshin në Charlie Hebdo. Një nga karikaturat e shfaq Profetin duke mbajtur një bombë në vend të një shalli në kokë, transmeton Telegrafi.

Në editorialin e saj, revista thotë se shpesh është kërkuar që të vazhdojë të botojë karikatura të Profetit që nga vrasjet e vitit 2015.

“Ne gjithmonë kemi refuzuar ta bëjmë këtë, jo sepse është e ndaluar – ligji na lejon ta bëjmë këtë – por sepse ne duhet të kishim ndonjë arsye të fortë për ta bërë atë, një arsye e cila ka kuptim dhe që shkakton debat”, shkruan gazeta.

“Neve na është dukur thelbësore që t’i riprodhojmë këto karikatura në javën që fillon gjyqi mbi sulmet terroriste të janarit 2015”, njofton gazeta.

Kujtojmë se 14 persona akuzohen për sigurimin e armëve dhe mbështetje logjistike të sulmuesve në zyrat e Charlie Hebdo në Paris, dhe sulmeve pasuese ndaj një supermarketi hebre dhe një oficeri policie.

Tre nga të akuzuarit po gjykohen në mungesë pasi besohet se kanë ikur në Siri dhe Irak.

Ndryshe, gjyqi do të fillonte në muajin mars, por u shty për shkak të pandemisë së coronavirusit. Ai pritet të zgjasë deri në nëntor. /Telegrafi/

Exit mobile version