Zgjidhja e krizës në Luginë të Preshevës, krahas nënshkrimit të Marrëveshjes së Konçulit, ishte pasuar edhe me Programin e qeverisë të Serbisë dhe asaj ish-federale. Ky plan ishte përpiluar me qëllim të kënaqjes së faktorit ndërkombëtar, i cili ishte thellë i involvuar në krizën e vitit 2001.
Programi qeveritar parashihte disa masa të ndara, objektiva të ndryshme prej të cilave integrimi i shqiptarëve në institucionet lokale dhe ato shtetërore kishte zënë vend më të rëndësishëm.
Përkundër faktit se në trysninë e Bashkësisë Ndërkombëtare, Serbia, krahas donatorëve ndërkombëtarë kishte alokuar disa fonde për përmirësim të infrastrukturës, Integrimi – siç po shihet edhe 11 vjet pas fillimit të realizimit të këtij programi – nuk ka rezultat serioz.
Pjesëmarrja e pakicave në jetën publike të një shteti, që nënkupton pjesëmarrjen e pakicave në procesin e vendimmarrjes, do të thotë që pjesëtarët e saj duhet të jenë të integruar në ato organe shtetërore të cilat marrin vendime që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të një rajoni.
Obligimi që shteti të sigurojë vende pune për pjesëtarët e pakicave, krahas strukturës nacionale të një mjedisi, rrjedh nga parimet fondamentale të mbrojtjes të të drejtave të pakicave që konsiderohen pjesë e pandashme e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Nën trysninë ndërkombëtare, më 2001, qeveria e atëhershme e Serbisë, në Programin për zgjidhjen e krizës në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kishte obliguar veten që në strukturat e veta administrimeve lokale – por edhe strukturat e organeve shtetërore që veprojnë në këto komuna – strukturën e të punësuarve t’ia përshtas strukturës nacionale të popullatës. Por, edhe sot, kur Serbia ka deklaruar rrugën e vet drejt BE-së si të pa alternativë, nuk ka vullnet politik që në strukturat e organeve shtetërore të rrisë numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve.
Në anën tjetër, edhe ato pak përparime që janë bërë në përmirësimin e strukturës në administratën lokal në Bujanoc, në një proces 10 vjeçar të qeverisjes së komunës nga partitë shqiptare, në të cilën numri i shqiptarëve të punësuar i ofrohet numrit të serbëve që punojnë nëpër institucionet e vetë administrimit lokal, qeverisja aktuale, me masat e revanshizmit politik dhe të spastrimeve ideopolitike. rrezikon dukshëm të drejtën e shqiptarëve për participim proporcional nëpër këto institucione.
Sipas fakteve të disponueshme, në periudhën prej marrjes së pushtetit në qershorin e kaluar, kjo qeverisje ka larguar mbi 20 shqiptarë, me paralajmërim për zvogëlimin e numrit të tyre edhe nëpër institucionet e tjera siç është Direkcioni për Ndërtim dhe Shtëpia Shëndetit. Sipas informacioneve. vetëm të premten e kaluar kontrata për punë iu ka ndërprerë pesë shqiptarëve, ndërsa dy serbëve ajo iu ka vazhduar, kurse serbja e tretë (vajza e zëvendëskryetarit të Kuvendit, Bozhidar Angjellkoviq, nga SPS-i) është punësuar.
Rrezikimi i të drejtës për participim proporcional nëpër institucionet publike është kategori ligjore dhe kushtetuese që pjesëtarëve të një pakice i garantohet. Prandaj, procesi i filluar i largimit të shqiptarëve nga puna, sado që mund të konsiderohet fushatë e revanshizmit politik, ai cenon edhe një të drejtë fondamentale të shqiptarëve e cila garantohen jo vetëm me ligjet e brendshme, por edhe me të drejtën ndërkombëtare.
Ky proces, këto hapa të pamenduar të ideatorit të procesit në fjalë, mund të destabilizojnë situatën edhe ashtu të brishtë ekonomike e sociale, ndërkohë që ka tendenca ta fus Bujanocin në një krizë me përshkallëzime të rrezikshme, sepse, kur cenohet kafshata e gojës dhe përshkallëzohet gjendja ekonomike, rrezikohet ekzistenca dhe kjo gjeneron krizat familjare, të cilat më pas determinojnë probleme me pasoja të padëshirueshme dhe tejet të rrezikshme.
Në rrethana të tilla revanshistët politik duhet të kenë parasysh se idetë e tyre që burojnë nga “barku” e jo nga logjika e shëndosh, mund të sjellin pasoja që kthejnë në një periudhë që askush nuk e dëshiron. Periudhë që për të arsyeshmit ka përfunduar në kohën kur Serbia ka marrë obligime para ndërkombëtarëve për të siguruar një ambient të përshtatshëm dhe të qetë sidomos për bashkësinë shqiptare në këtë rajon.
Ndryshe, veprimet revanshiste mund të kategorizohen të qëllimshme jo vetëm për të realizuar para së gjithash interesat personale dhe pak më pak grupore, por të tilla që ndihmojnë projektet për prolongimin e përmbushjes së obligimeve që shteti ka ndaj bashkësisë shqiptare.