Gjashtë shtetas turq janë arrestuar sot në Kosovë lidhur me shkollat e financuara nga Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja zyrtare e akuzon për tentim puqin e 15 korrikut të vitit 2016. Ata janë ekstraduar sot në Turqi, raporton Anadolu Agency.
Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ishte informuar për operacionin për deportimin e gjashtë shtetasve turq, ndërsa operacioni për arrestimin e tyre është realizuar nga policia e Kosovës në bashkëpunim me Shërbimet Sekrete turke, transmeton Telegrafi.
Anadolu Agency raporton se këta gjashtë persona tani janë në Turqi. Ata janë identifikuar si Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Huseyin Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, duke shtuar se që të gjashtit ishin “zyrtarë të lartë” të rrjetit të Gulenit.
Ankaraja zyrtare akuzon klerikun Gulen që aktualisht jeton në SHBA, për orkestrimin e tentim puçit në vitin 2016 në Turqi, ndërsa organizatën e tij e cilëson si organizatë terroriste.
Ndërkaq, Gulen me çdo kusht mohon akuzat për tentim puq.
“Gjatë javëve të fundit kemi pasur presion të madh nga autoritetet turke që të ndërmarrim masa kundër shkollave të Gulenit dhe stafit të tyre”, ka deklaruar zyrtari i lartë kosovar për Reuters në kushte anonimiteti. /Telegrafi/