Site icon Telegrafi

Reuters: Evropianët po punojnë me SHBA-në për të “ristrukturuar” OBSH-në

Qeveritë evropiane po punojnë me Shtetet e Bashkuara në planet për një “rishikim” në Organizatën Botërore të Shëndetit, tha një zyrtar i lartë shëndetësor për një vend evropian, duke sinjalizuar që Evropa ndan disa nga shqetësimet që e shtynë Uashingtonin të thoshte se do të hiqte dorë nga kjo organizatë.

Siç shkruan Reuters, përcjell Telegrafi, zyrtari evropian i shëndetësisë, i cili foli në kushte anonimiteti ndërsa diskutonte nisma që nuk janë publike, tha se Britania, Franca, Gjermania dhe Italia po diskutonin reformat e OBSH-së me Shtetet e Bashkuara në nivelin teknik.

Qëllimi, tha zyrtari, ishte të sigurohej pavarësia e OBSH-së, një referencë e dukshme për pretendimet se trupi ishte “shumë afër” Kinës gjatë përgjigjes së saj fillestare ndaj krizës së coronavirusit, në fillim të këtij viti.

“Ne po diskutojmë mënyra për të ndarë mekanizmin e menaxhimit të urgjencës së OBSH-së nga çdo ndikim i një vendi të vetëm”, citohet të ketë thënë zyrtari.

Dhe siç shkruan Reuters, reformat do të përfshijnë ndryshimin e sistemit të financimit të OBSH-së për ta bërë atë më afatgjatë, tha zyrtari.

OBSH tani operon me një buxhet dy-vjeçar, i cili “mund të dëmtojë pavarësinë e OBSH-së” nëse duhet të mbledh fonde nga vendet donatore në mes të urgjencës, tha zyrtari.

Ndryshe, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar OBSH-në që është shumë afër Kinës dhe njoftoi planet për t’u larguar dhe për të tërhequr fondet.

Vendet evropiane herë pas here kanë bërë thirrje për reformë të OBSH-së, por në përgjithësi e kanë mbrojtur organizatën nga kritikat më të ashpra të Uashingtonit.

Në publik, pozicioni Evropian ka qenë zakonisht se çdo reformë duhet të vijë vetëm pas një vlerësimi të përgjigjes ndaj krizës së coronavirusit. /Telegrafi/

Exit mobile version