Telegrafi

Reumatologët nuk e këshillojnë përdorimin e marihuanës mjekësore?

Nëntëmbëdhjetë shtete dhe Distrikti i Kolumbisë e kanë legalizuar marihuanën për përdorim mjekësor. Përqindjet e mëdha të përdoruesve të marihuanës mjekësore raportojnë përdorimin e drogës për t’i qetësuar dhimbjet e artritit. Por autorja kryesore dr. Mary-Ann Fitzcharles, dhe ekipi i saj i hulumtuesve në Qendrën Shëndetësore të Universitetit McGill në Quebec, thonë se ende nuk ka ndonjë studim legjitim afatshkurtër apo afatgjatë i cili demonstron efektivitetin e kanabisit tek sëmundjet reumatike.

"Me thirrjet publike për terapi bimore të kanabisit, qeveritë në mbarë botën janë duke e konsideruar legalizimin e saj për përdorim mjekësor," shpjegoi dr. Fitzcharles. "Mjekët që kujdesen për pacientët të cilët janë duke u vetëshëruar me marihuanë duhet t’i kuptojnë implikimet shëndetësore të përdorimit të kësaj droge. Studimi ynë ka për qëllim t’u ofrojë profesionistëve të kujdesit shëndetësor provën mjekësore që lidhet me përdorimin e marihuanës mjekësore në pacientët me sëmundje reumatike."

Studimi ofroi informacione në lidhje me dozimin e drogës, administrimin, efikasitetin dhe rreziqet e dokumentuara, duke konkluduar në fund se problemet afatshkurtra zvogëluan funksionin kognitiv dhe psikomotorik dhe problemet afatgjata si sëmundjet mendore, varësia dhe problemet e kujtesës e tejkalonin çfarëdo efekti të mundshëm kundër dhimbjeve.

Artikulli iu referua një studimi të mëparshëm i cili tregoi se përdoruesit e kanabisit kishin 1.4 herë më shumë gjasa të vuajnë nga depresioni klinik.

"Tani për tani nuk mund ta rekomandojmë kanabisin bimor për menaxhimin e dhimbjeve të artritit duke pasur parasysh mungesën e të dhënave, dëmin potencial nga droga, dhe disponueshmërinë e terapive të tjera për menaxhimin e dhimbjes," përfundon dr. Fitzcharles. "Mjekët duhet t’i inkurajojnë pacientët e reumatologjisë që të mos e përdorin marihuanën mjekësore si terapi."

Dokumenti i fundit nuk përfshin studimet e reja, por analizoi literaturën e mëparshme për këtë temë. Mbështetësit e marihuanës mjekësore kanë argumentuar prej kohësh që hulumtimet mjekësore të drogës vazhdojnë të operojnë nën supozimin se ajo është e rrezikshme. Hulumtimi për drogën ka qenë i vështirë, kryesisht në saje të klasifikimit të qeverisë federale për drogën si një substancë e klasit 1 – një drogë e tipit më të rrezikshëm "pa ndonjë përdorim mjekësor të pranuar dhe një potencial të lartë për abuzim.

Vitin e kaluar, Sanjay Gupta, neurokirurg dhe korrespondent mjekësor në CNN, kërkoi falje për rolin e tij në anulimin e legjitimitetit të marihuanës mjekësore.

"Ajo nuk ka një potencial të lartë për abuzim, ndërkohë që ka aplikime shumë legjitime mjekësore. Në fakt, ndonjëherë marihuana është e vetmja gjë që funksionon," shkroi ai në një editorial. "Ne kemi qenë tmerrësisht dhe në mënyrë sistematike të çorientuar për pothuajse 70 vjet në Shtetet e Bashkuara, dhe unë kërkoj falje për rolin tim në gjithë këtë proces."

Vetëm një përqindje e vogël e studimeve të marihuanës i konsideron përfitimet mjekësore, ndërsa pjesa më e madhe fokusohet vetëm në efektet e mundshme negative.