Site icon Telegrafi

Retrospektivë – Intervista e Adem Mikullovcit si deputet dy vite më parë: Të jesh mes artit dhe politikës është ngjashmëri e madhe meqë edhe në Kuvend ka mjaft aktrim

Adem Mikullovci (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Të martën është ndarë nga jeta aktori i mirënjohur, Adem Mikullovci.

Lajmin e bëri të ditur bashkëshortja e aktorit, Lumnije Mikullovci përmes një shënimi të shkurtër në rrjetin social Facebook.

Adem Mikullovci u lind më 1937 në Komunën e Vushtrrisë. Mikullovci bënte pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor i Kosovës (Teatri Kombëtar i Kosovës).

Lexo po ashtu I jepet lamtumira e fundit aktorit Adem Mikullovci

Ai ishte regjisor dhe aktor i shumë shfaqjeve të njohura, ndërsa arti nuk ishte pika e vetme e tij e fortë.

Adem Mikullovci (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Përveçse një aktor i shquar, Mikullovci ishte edhe deputet në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në një intervistë të vitit 2018 për Telegrafin, Adem Mikullovci ishte shprehur se eksperienca e tij në politikë, nuk dallon shumë nga ajo në teatër, pasi sipas tij teatër ka edhe në kuvend, por në një formë tjetër.

“Me qenë mes artit dhe politikës është ngjashmëri e madhe, me që edhe në Kuvend ka mjaft aktrim, edhe dramacitet, thurje dramaturgjike, dialogje, replika, nuk është fort larg teatrit, prandaj e ndjej veten komod dhe nuk e ndjej veten keq aspak. Përkundrazi, po më duket se më mirë po e ndjej veten në Kuvend sepse teatri për mu ka mbaruar, ‘i kam çuar duart prej tij”, kishte thënë Adem Mikullovci për Telegrafin.

Adem Mikullovci (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Aktori i cili ia besoi kandidimin e tij Lëvizjes Vetëvendosje aso kohe, i pyetur nëse do të pranonte t’i rikthehej teatrit, ai kishte thënë se nuk kishte gjasa të ndodhte një gjë e tillë.

Mikullovci madje kishte paralajmëruar edhe tërheqjen e tij nga politika, pas atij mandati.

“Jo nuk e kam ndër mend të kthehem, sepse nuk jam në gjendje fizike, me shëndet nuk jam i aftë, më nuk mundem të punoj, kështu që unë me teatër e kam kryet. Sa të zgjasë ky mandat do të merrem me politikë, dhe pastaj do ta përfundoj edhe këtë rrugë. Aryseja ka qenë me marr pjesë, me u mundu pak në synimet e Vetëvendosjes, meqë kam besuar gjithmonë, dhe kam dashur të jem pranë tyre me kontribu sa të mundem ,por si duket edhe aty nuk po ndez fort – kjo ka qenë shkaku i kyçjes sime në politikë”, kishte thënë aktori i njohur. /Telegrafi/

Exit mobile version