Site icon Telegrafi

Retorika dhe historia në veprën e ‘E vërteta për Nolin’

Izber Hoti

Në fillim të këtij vështrimi u gjenda para dilemës ta citoj Biblën: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ajo (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të saj (fjalës), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.” (Bibla, Gjoni 1), apo pohimin e Entela Komninos: “Në kohën kur punimi bëhej libër, një lajm krejt i shkencës së saktë e pa lidhje në dukje me retorikën, ngacmoi një nga konceptimet fillestare të punimit, që ishte quajtur ‘Kohët e Nolit’. Shkencëtarët deklaruan se arritën të konservojnë kohën në kristal, fakt që portalet e pakta që e botuan, e quajtën shumë të çuditshëm, që u bë dhe më shumë i tillë nën citimin shkencor-filozofik se koha e baraspeshës në natyrë kishte kaluar” (Entela Komnino, ‘E vërteta për Nolin’, fq. 22).

Nuk e zgjodha citimin e Entela Komninos vetëm, sepse kishte të bënte me shkencë të saktë e drejtpërdrejt me histori, por për dy arsye: së pari, unë jam shqiptar dhe nuk duroj asnjë të dijë më shumë se unë, aq më parë një femër me moshë të vajzës sime dhe e dyta që pohimi i shkencëtarëve ende nuk është verifikuar, por për të filozofuar ishte i mjaftueshëm, aq më parë kur për ndaljen e kohës është menduar edhe në kohën e paradixhitalizimit.

U përcaktova për të dy citatet i vetëdijshëm se me citatin e dytë jo që nuk mendojmë kështu fjalë për fjalë dhe në mënyrë të thjeshtësuar as unë dhe as autorja e veprës ‘E vërteta për Nolin’. Entela Komnino, por sepse është e vërtetë se kemi ndërmend dhe mendojmë për fjalën si njësinë bazë të retorikës dhe për vetë retorikën si pjesë e mundshme dhe e pamundshme e semantikës dhe semasiologjisë së shkencave shoqërore, para së gjithash të historisë së tyre, pse jo edhe të historisë si shkencë e përgjithshme shoqërore.

Kjo është e natyrshme kur kihet parasysh lidhshmëria e artit me shkencën, veçanërisht retorikës dhe shkencave shoqërore e në këtë kuadër historisë, synim i të cilave është gjetja e kodeve të veta të së kaluarës dhe të së tashmes, përkatësisht të bërit retorikë, histori, historiografi, po të bërit edhe shqiptarë, sepse, siç shkruan Entela, në shekullin XIX dhe XX ‘më lehtë bëheshe publicist shqiptar se shqiptar vetë’. Ama “nëse s’do të ishte as Rilindja, s’bëheshe dot as publicist” (E vërteta për Nolin, f. 40)

Thënë shkurt, duhej (dhe duhet) të bëhej Shqipëria dhe shqiptarët. Kështu do të duhej të bënin të gjithë. Kështu bëri edhe Fan Stilian Noli, sepse, siç dihet, ai nuk ishte vetëm personalitet kulture e historie, por edhe njëri nga ata që merreshin me to në mënyrë të dallueshme, dhe origjinale e me stil të veçantë, që nuk mund ta mohonin ata të cilëve nuk i pëlqenin qëndrimet dhe veprimet e Nolit. Kështu ndodh edhe me veprën Entela Komninos ‘E vërteta për Nolin’. Edhe pse autorja është doktore në letërsi, ajo vërtet nuk e ndan letërsinë dhe historinë, por këtyre dy fushave u bashkëngjit edhe gazetarinë apo mediatikën në tërësi (të mos harrojmë mëdyshjen e saj në mes të kohës filmike dhe historisë), që dëshmohet nga kjo vepër dhe vepra e saj më e hershme“30 minutat e darkës ‘20” (1997), por edhe nga vetë jetëshkrimi i saj.

Mbështetur në këto të dhëna, studimet e saj, në veprën ‘E vërteta për Nolin’, marrin ngjyra e vlera të ndryshme dhe ç’është e rëndësishme ato janë origjinale, duke u bërë kështu shembuj për breza të ardhshëm për të cilët shoqëria, me gjithë ato që e shoqërojnë atë në kohë të ndryshme, bëhen objekt i studimit të tyre.

Mund të thuhet lirisht se Entela Komnino nuk synon të bëhet gjurmuese e pastër e njërës nga këto tri fusha (gjuhës e letërsisë, historisë e mediatikës), por e të triave së bashku. Kështu disi mendoi dhe veproi edhe Noli, i cili edhe nëse nuk është idoli i Entela Komninos, është i përzgjedhuri i saj për studim dhe trajtim të gjithanshëm të jetës dhe veprimtarisë së tij. Në të vërtetë, del se vetë jeta dhe veprimtaria e Nolit, sipas Entela Komninos, është rasti më i mirë “ku pasqyrimi i realitetit dhe figuracionit artistik zgjerojnë kuptimin dhe shkrimin e ekzistencës”, që në njëfarë mënyre është edhe synimi i autores, gjithnjë duke pasur parasysh logos-in e leg-un, ligjërimin, që aq shumë ishte dhe është i përhapur tek shqiptarët, madje, edhe kur lotojnë (siç kujton Entela ‘qaj me ligje’).

Këtu mendoj se duhet shtuar se për autoren Entela Komnino retorika nuk është oratoria, por thënë ndryshe apo si e kuptoj unë, është shtjellimi vetë me mjete, forma e synime të caktuara (Entela Komnino, E vërteta për Nolin f. 12), pra nuk është thjeshtë stili i paraqitjes së materies i cili deri në vitet ’90 përzihej në kulturën tonë të gjithëmbarshme. Po kështu për autoren e kësaj vepre zmadhimi si figurë retorike (jo stilistike) i përdorur në Publicistikën e Nolit nuk është i paqëndrueshëm ngase ka mbështetjen e vet, është i funksionalizuar, bëhet me qëllime e synime të veçanta në rrjedha kohore e hapësirë të caktuar, thënë ndryshe është i domosdoshëm dhe i natyrshëm.

Qasjet dhe format bashkëkohore të dëshmuara, por që pritet edhe më tej të dëshmohen, shfrytëzimi i një gjuhe të pastër e të pasur (nderur, pandehmë, vendkohë /sintagmë e krijuar nga autorja/ etj), ikja me mjeshtri nga shumë tabu të vjetra e të reja, në radhë të parë veprimi me ngulm mbështetur në origjinalitet, duke shfrytëzuar me mjeshtri fusha të ndryshme të jetës sociale, si dhe arritjet teknike, teknologjike e kibernetike, të cilave autorja i kushton rëndësi, e bën veprimtarinë e saj që shkurt mund të vlerësohet me sintagmën shkencë filozofike me një truall të sigurt e të mbështetur në ndjenja dhe shpirt, mu ashtu siç mendoj se do të duhej të bëhej në të gjitha veprat artistike dhe shkencore.

Thënë shkoqur, shkurt dhe si përfundim, synimi kryesor i Entela Komninos me veprën e saj ‘E vërteta për Nolin’ është porosia dhe kërkesa që të folurit dhe të shkruarit të mbështeten në rregulla e retorikë, që aq shumë kishte nevojë në të kaluarën, ndërsa tash u bë domosdoshmëri e kulturës sonë kombëtare.

Exit mobile version